Lidhje

Vihet në pikëpyetje e ardhmja e organizatës për lirinë në internet


Logoja e USAGM (Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale) në hollet e Zërit të Amerikës

OAKLAND, KALIFORNI - Një organizatë jofitimprurëse e mbështetur nga qeveria amerikane është vendosur në epiqendër të zhvillimeve ndërsa administrata Trump po i ndryshon drejtuesit e saj.

Fondi për Teknologjinë e Hapur (OTF), një korporatë e pavarur private dhe jofitimprurëse, financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), agjencia që mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës. Që nga themelimi i saj në vitin 2012, OTF-ja ka ndihmuar për financimin e disa prej hapësirave më të rëndësishme dixhitale, të disponueshme për disidentët, aktivistët dhe të tjerë, ndërkohë që qeveritë represive në mbarë botën po rrisin kapacitetet për të përgjuar dhe bllokuar qytetarët e tyre.

Por e ardhmja e kësaj organizate, me një buxhet vjetor prej 21 milionë dollarësh, mund të jetë në pikëpyetje, sipas grupeve të të drejtave dixhitale në mbarë botën.

Ndryshimi i drejtuesve, duke hequr drejtoren ekzekutive, presidentin dhe bordin drejtues, rrezikon të përmbysë organizatën që grupet e të drejtave thonë se është shndërruar në shtyllën kurrizore të komunitetit për lirinë e internetit. Ata frikësohen se një OTF e re do të heqë dorë nga mbështetja që u ofron projekteve "open-source" (pa kufizime të pronësisë intelektuale) që përfshijnë aplikacione, programe dhe teknologji të prodhuara me kode që mund t'i shohin dhe testojnë të gjithë, duke u orientuar drejt teknologjive me pronësi intelektuale (closed-source), duke e bërë më të vështirë punën aktivistëve, gazetarëve e të tjerëve për të kuptuar nëse duhet apo jo t’u besojnë.

Në qershor, Michael Pack, drejtori i ri ekzekutiv i USAGM-it, shkarkoi disa prej drejtuesve të organizatave që ka nën varësi. Ai largoi Libby Liu-në, shefe ekzekutive dhe bashkëthemeluese e OTF-së, si dhe Laura Cunningham, presidenten e korporatës, si dhe zëvendësoi bordin e OTF-së. Financimi u ngri gjatë ristrukturimit.

Katër ish-anëtarë të bordit, përfshirë dy ish-ambasadorë të Shteteve të Bashkuara, u përpoqën t’i bllokojnë ndryshimet përmes një padie kundër USAGM-it, por padia u refuzua nga një gjykatëse federale. Ata e kanë apeluar vendimin.

Më shumë se 500 organizata, përfshirë grupin e të drejtave dixhitale “Electronic Frontier Foundation” dhe “Mozilla”, prodhuesin e programit të internetit “Firefox”, kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar nga Kongresi amerikan të shqyrtojë ndryshimet e fundit në OTF.

"Ekzistojnë shqetësime serioze se udhëheqja e re brenda USAGM-it do të kërkojë të shpërbëjë OTF-në dhe të rishpërndajë të gjitha fondet e ardhura nga qeveria amerikane, për të mbështetur një grup të ngushtë mjetesh anti-censurë pa një proces rishikimi transparent dhe të hapur", thuhet në peticion.

USAGM-i nuk pranoi t’u përgjigjet disa kërkesave për koment.

Një garë armatimi teknologjik

OTF-ja u krijua si një program i “Radios Azia e Lirë” për të financuar mjetet dixhitale në fazat e tyre fillestare, përpara se të shndërrohej në një korporatë të pavarur jofitimprurëse në shtator 2019. Përveç grantit vjetor prej 21 milionë dollarësh nga USAGM, OTF-ja gjithashtu merr fonde private.

Grupet e të drejtave dixhitale, aktivistë dhe kompani teknologjie të sapokrijuara mund të aplikojnë për fonde për projektet e tyre përmes faqes së internetit të OTF-së. Për shembull, më shumë se 50 organizata morën para nga “Fondi i Lirisë së Internetit”, i cili jep kontrata financimi me vlerë nga 50 në 200 mijë dollarë.

Përveç sigurimit të fondeve të reagimit të shpejtë për aktivistët që përballen me kërcënime të pashmangshme censurimi, OTF-ja trajnon njerëz në të gjithë botën për sigurinë dixhitale, sponsorizon bursa vjetore, drejton disa laboratorë të teknologjisë, vepron në fusha të tjera juridike dhe të lirisë së internetit, kryen inspektime të sigurisë së mjeteve teknologjike dhe përkthen aplikacione dhe programe të reja në më shumë se 200 gjuhë.

Disa nga programet që kanë fituar financimeve të OTF-së janë ndër teknologjitë më të përdorura nga disidentët dhe aktivistët. Mes viteve 2013 dhe 2016, OTF dha më shumë se 3 milionë dollarë për të ndihmuar fondin e teknologjisë “Signal”, e cila siguron kodimin e komunikimeve. E njëjta teknologji është tani pjesë e “WhatsApp-it”, aplikacioni i mesazheve që i përket kompanisë “Facebook”.

Gjatë të njëjtës kornizë kohore, OTF-ja dha 3 milionë dollarë për kompaninë “Tor”, që u mundëson njerëzve qasje anonime tek lajmet dhe informacionet e bllokuara nga qeveritë e tyre.

Projektet e tjera përfshijnë “Let’s Encrypt”, i cili u lejon organizatave dhe bizneseve të vogla të mbrojnë faqet e internetit nga hakerat dhe kriminelët në internet, si dhe “WireGuard”, një rrjet virtual privat (VPN) që eliminoi dobësitë që mund të shfrytëzoheshin nga regjimet represive, sipas specialistëve të teknologjisë.

Por ndaj OTF-së nuk mungojnë kritikët. Vizione të kundërta si brenda ashtu edhe jashtë organizatës, ndër të tjera edhe rreth asaj se çfarë duhet të bëjë OTF-ja, i kanë paraprirë mbërritjes së zotit Pack dhe ekipit të ri drejtues.

Debati përfshin nëse duhet të përqëndrohet në mjetet që ndihmojnë programet e lajmeve televizive, radiofonike dhe dixhitale që të shmangin bllokadat e qeverive dhe të arrijnë tek 300 milionë njerëz në mbarë botën. Disa thonë se ky lloj misioni i përshtatet më shumë një agjencie të transmetimeve ndërkombëtare me financim nga qeveria federale. Gjithashtu debatohet nëse OTF-ja duhet të vazhdojë të shpërndajë grante financiare për ata që ndërtojnë mjete kundër përgjimit për të ndihmuar aktivistët në terren të komunikojnë dhe të shmangin pikasjen nga qeveria.

Ndërsa OTF ka arritur shumë, mund të bëjë më shumë, thotë Katrina Lantos Swett, presidente e fondacionit “Lantos”, një organizatë për të drejtat e njeriut që mban emrin e babait të saj, ligjvënësit Tom Lantos, një demokrat nga Kalifornia. Ajo është gjithashtu ish-kryetare e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare.

"Ne besojmë se ekziston një potencial për të shembur muret e mëdha ligjore që lidhen me veprimtarinë në internet dhe gjithashtu të financojmë mjete masive me aftësinë për të çliruar një numër të madh njerëzish nga ato që janë, në thelb, burgje dixhitale", thotë zonja Lantos Swett. "Nuk është një skenar me vetëm dy variante - burimet pa pronësi intelektuale kundrejt mjeteve të anashkalimit - dhe besoj se një fond i vogël për këtë të fundit mund të japë rezultate të jashtëzakonshme. Kina po shpenzon qindra miliona dollarë për të forcuar masat e saj bllokuese (firewall), kështu që ne duhet të jemi të gatshëm të shpenzojmë dhjetëra miliona për të bërë vrima në të".

OTF-ja nuk ka financuar më parë projekte në shkallë të gjerë, por po e shqyrtonte këtë mundësi, thanë disa persona në dijeni të operacioneve të saj. Një çështje shtesë, thonë ata, është se disa nga teknologjitë e shmangies që fondacioni “Lantos” dhe të tjerët po reklamojnë, vijnë me "teknologji me burim të mbyllur" (me të drejta të kufizuara të pronësisë intelektuale), gjë që e bën më të vështirë për njerëzit ta shqyrtojnë, testojnë dhe t'i besojnë.

Chris Riley, drejtor i marrëdhënieve me qeverinë në kompaninë Mozilla dhe anëtar i hershëm i këshillit të OTF-së, tha se reklamimi nga ky grup i teknologjisë me burim të hapur (pa kufizime pronësie intelektuale) ka qenë kritik.

"Përqëndrimi i OTF-së tek mjetet me burim të hapur dhe komunitetin e zhvilluesve (të programeve) me burime të hapura ka qenë veçanërisht i vlefshëm për sigurinë dhe disponueshmërinë e këtyre mjeteve, për ata që kanë më shumë nevojë për to", thotë zoti Riley. "Një ndryshim në strategji për OTF-në, duke e larguar nga burimet e hapura, do të vinte në një rrezik më të madh pjesë të konsiderueshme të internetit të sigurt, të hapur, të drejtat e njeriut dhe jetët që varen prej tij".

Në një intervistë të 2 korrikut me faqen “RealClearPolitics”, zoti Pack nuk pranoi të diskutojë për OTF-në, por tha se ai ende po vlerëson rolin e OTF-së dhe nuk ka plane për ta shpërbërë këtë organizatë.

Kreu i përkohshëm i OTF-së, James Miles, 78 vjeç, është një ish-sekretar shteti i Karolinës së Jugut. Avokat me profesion, zoti Miles është marrë me ligjet e punës dhe punësimit, por nuk duket se ka përvojë në teknologji ose në media. Zoti Miles nuk iu përgjigj një kërkese të “Zërit të Amerikës” për një intervistë në lidhje me rolin e tij të ri.

Mjetet për sigurinë dixhitale

Për aktivistët dixhitalë, telashet e OTF-së vijnë në një kohë kur protestuesit në vende të tilla si Hong Kongu përballen me goditje të reja dhe mbikëqyrje.

Ekziston një "garë armatimi" me mjete dixhitale mes regjimeve shtypëse nga një anë dhe disidentëve dhe aktivistëve që veprojnë brenda tyre thotë Bill Marczak, një studiues në “Citizen Lab”, me seli në universitetin e Torontos, dhe një nga nënshkruesit e peticionit.

"Ka përfitim të sigurohesh që njerëzit të kenë qasje në sigurinë dixhitale atëherë kur duhet", thotë Marczak, i cili në vitin 2014 mori një bursë një vjeçare nga OTF duke u përqëndruar tek teknologjia për të zbuluar serverët e përdorur në sulmet e hakerave.

Raphael Mimoun, themeluesi i “Horizontal”, aktualisht është nën kontratë me OTF-në për përmirësimin e “Tella-s”, një aplikacion falas që merret me kodimin e fotove, videove dhe përmbajtje të tjera në pajisjet celulare.

Megjithë ndryshimet në OTF, zoti Mimoun tha se ai pret që organizata të respektojë kontratën me kompaninë e tij prej 53 mijë dollarësh.

Por është e ardhmja ajo që e shqetëson. Aplikacioni “Tella” është i disponueshëm në telefonat Android por jo iPhone, një projekt për të cilin zoti Mimoun mund t'i drejtohet OTF-së për financim.

"Në planin afatgjatë, do të jetë një fatkeqësi nëse OTF-ja do të ndryshojë drejtimin e asaj që bën kaq mirë", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG