Lidhje

8 viktima, 196 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut


Shkup, Maqedoni e Veriut

Një numër rekord i të infektuarve me koronavirusin në 24 orët e fundit është raportuar në Maqedoninë e Veriut; edhe numri i viktimave është i lartë: 8 persona kanë rezultuar të vdekur po brenda kësaj periudhe kohore. 196 rastet e fundit e çojnë numrin e të diagnostikuarve në 3902, prej të cilëve 2018 mbeten aktivë, ndërsa 1705 të shëruar. Numri i atyre që nuk i mbijetuan virusit u ngjit në 179, shifër kjo më e lartë, krahasuar me vendet e rajonit.

Në të vërtetë, ky është piku i sëmundjes në shtetin me dy milionë banorë, teksa autoritetet shëndetësore po përpiqen të bëjnë ndryshime të protokolleve dhe nga ana tjetër, personat të cilët nuk shfaqin simptoma e që janë të shumtë, të mos i llogarisin brenda shifrave të të prekurve me COVID-19.

Shkupi vazhdon të jetë vatra më e madhe e virusit; 90 veta nga 196 të diagostikuarit e fundit janë në kryeqytet. 45 janë nga Tetova, 17 janë regjistruar në Kumanovë. Pacientja më e re që e humbi betejën me sëmundjen është një grua 31 vjeçare nga Gostivari; viktima më e vjetër – një 81 vjeçar nga Ohri. Katër të tjerë janë nga Shkupi, një nga Struga dhe një nga Resnja.

Venko Filipce
Venko Filipce

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri te ditur se në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë 11 pacientë me gjendje më të rëndë klinike; 9 mbahen në respiratorë. Dhjetra pacientë të tjerë janë shtruar nëpër spitalet e Tetovës, Ohrit, Velesit, Kumanovës dhe Prilepit. Deri më tani janë bërë 42.262 teste.

Të shumtë janë ata që i shpërfillin urdhërat për respektimin e masave, përkatësisht mbajtjen e maskave në fytyrë, ruajtjen e distancës fizike për çka organet e rendit për çdo ditë njoftojnë për dhjetëra e qindra gjoba të vëna.

Me heqjen e masës së ndalim-qarkullimit, hapjen e objekteve gastronomike e kafeneve, inspektorët kanë pasur mjaft punë; dhjetra gjoba u vihen pronarëve të restoranteve dhe kafeneve për çdo ditë për mosrespektimin e masave. Aktualisht, vetëm tarracat dhe hapësirat e jashtme të këtyre objekteve kanë leje për punë, por jo dhe mjediset e brendshme.

Kjo gjendje shqetësuese ka bërë që të shtohet mosdurimi, gjuha e urretjes dhe stigmatizimi nëpër rrjetet sociale për shkak të shfaqjes së virusit në përqindje më të larta në disa komuna të Shkupit me përbërje etnike të përzier apo ku mbizotërojnë shqiptarët, siç është rasti me Çairin.

Po ashtu, politika në anën tjetër me njërën parti që këmbëngul organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve dhe kundërshtimin e opozitës për shkak të koronavirusit, ka nxitur mjaft debate dhe dilema tek opinioni i gjerë publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG