Lidhje

Kaliforni: Vazhdojnë kërkimet për viktima


Në kontenë e Santa Barbara-s të Kalifornisë ekipet e shpëtimit po vazhdojnë operacionet për gjetjen e atyre që rezultojnë të humbur si pasojë e rrëshqitjeve vdekjeprurëse të baltës që përmbytën shtëpi e rrugë. Lumenj balte shkaktuar nga shirat e dendur që të ranë ditën e martë, u derdhën nga kodrat e Santa Barbara-s në qytetin e Montecitos, duke përmbytur e shkatërruar shtëpi dhe duke u bllokuar banorëve mundësitë për të dalë. Të mërkurën u raportuan 17 vetë të vdekur ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur:

Ekipet e shpëtimit kaluan nëpër baltën e trashë për t’u shkuar në ndihmë banorëve të bllokuar. Për disa ishte i nevojshmëm përdorimi i helikopterit. Rrugët janë shdërruar në të pakalueshme prej rrëshqitjes së baltës dhe mbeturinave që rrethojnë të paktën 100 shtëpi të shkatërruara. Zjarret e pazakonta të muajit të kaluar dogjën pemët në kodrat mbi Montecito që mund të pengonin baltën të rrëshqiste më thellë drejt banesave. Balta mori me vetë gurë të mëdhenj duke goditur shtëpi e automjete. Në disa raste balta mbuloi një shtëpi të tërë.

"Është sikurse një fushë beteje e Luftës së Parë Botërore, këto janë fjalët e vetme që mund të mendoj për të përshkruar atë që po shoh ", tha Bill Brown, sherifi i Santa Barbarës.

Zyrtarët kanë urdhëruar mijëra banorë të evakuohen, por vetëm 10 apo 15 për qind e tyre e përfillën urdhrin. Shumë prej tyre ishin evakuar gjatë zjarreve të muajit të kaluar dhe nuk ishin gati të largoheshin sërisht dhe aq shpejt, nga banesat e tyre.

"Natën e kaluar na thanë se duhet të largohemi, thashë: jam e lodhur nga ajo fjalë, nuk do të largohem. Menduam se do të binte vetëm shi dhe kemi patur shi më parë por asnjëherë diçka si kjo", thotë Carole Bennett, banore e Montecitos.

Disa banorë u goditën si nga zjarri ashtu edhe nga rrëshqitjet e baltës.

"Fillimisht na u dogj ferma ndërsa tani jemi duke u përmbytur. Muaji i fundit ka qenë shumë i keq për ne. Kjo ka ndodhur më parë, por këtë herë situata është përkeqsuar për shkak të zjarrit, që krijoi më shumë mbetje se normalja", thotë Charles Stoops një banor i zonës.

Konteja e Santa Barbara-s, që shtrihet mes të maleve të gjelbëruar dhe brigjeve të Paqësorit, ka tërhequr shumë familje të pasura dhe personalitete si Oprah Winfrey, pasuria e së cilës ka pësuar gjithashtu disa dëme nga rrëshqitja e baltës.

"Këtu ndodhej një gardh.... shtëpia e fqinjit tim është tërësisht e shkatërruar ..." tha zonja Winfrey.

Të mërkurën në mëngjes rreth 300 vetë ndodheshin të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe me më shumë se 20 rezultonin të zhdukur. Autoritetet shpallën një sipërfaqe prej rreth 8,000 hektarësh "zonë e pasigurt", duke lejuar vetëm hyrjen e ekipeve të emergjencës. Në shumë shtëpi mungonte energjia elektrike dhe uji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG