Lidhje

7 viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Numri i të infektuarve me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut nuk po ulet. 7 viktima janë regjistruar në 24 orët e fundit. 125 raste të reja brenda 24 orëve janë shënuar në Shkup (89), në Tetovë (11), në Ohër (8), në Kumanovë (4), në Strugë (3) dhe në Gostivar, Shtip, Prilep e Strumicë nga 2 raste, ndërsa nga 1 rast në Kërçovë, në Veles, dhe për herë të të parë në Resnje.

Viktima më e moshuar ishte 79 vjeç; ndërsa një paciente 46 vjeçe nga Tetova ishte më reja ndër viktimat e fundit, numri i përgjithshëm i të cilëve arriti në 164.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë 1019 teste brenda këtyre 24 orëve të fundit. Nga 3364 personat e prekur deri tash me COVID-19, 1536 mbeten raste aktive. Infektologët ende nuk dinë nëse virusi po vjen duke u dobësuar, ndërsa shtimi i paraqitjes në spitale të pacientëve me një gjendje më të lehtë klinike është rezultat i frikës për shkak të numrit të madh të të infektuarve në ditët e fundit, sipas mjekëve specialistë.

Maqedonia e Veriut hoqi orën e ndalim-qarkullimit dhe hapi objektet gastronomike, megjithëse me disa kushte, duke lënë në fuqi nga ana tjetër një sërë masash, si mbajtjen e maskave, si në hapësira të mbyllura edhe jashtë, ndalimin e grumbullimit të më tepër se dy njerëzve në vende pubike, etj., por këto masa nuk po zbatohen gjithmonë.

Vendi vazhdon të ketë shkallën më të lartë të vdekshmërisë në rajon nga koronavirusi, ndonëse autoritetet thonë se janë të vetmit që bëjnë testet për COVID-19 edhe pas vdekjes së pacientëve nga sëmundje të tjera dhe se kjo i ngritë shifrat.

Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare fajësojnë autoritetet shëndetësore dhe ato qeveritare për mënyrën e menaxhimit të gjendjes me pandeminë e virusit. Ndërkohë që çështja po merr dimensione politike në një periudhë kur nuk funksion parlamenti dhe ka një qeveri teknike me mandat të kufizuar, Bashkimi Demokratik për Integrim ka filluar një fushatë me kërkesën për një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh të mërkurën me “besimin se ne mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë. Dhe për këtë, duhet të bëhemi bashkë! Kryeministri i parë shqiptar do të jetë kryeministër i barazisë dhe i zhvillimit”, sipas z. Ahmeti. Por ideja e partisë së tij ka hasur në kundërshtimin e Lidhjes Social Demokrate të koalicionit qeveritar dhe ka nxitur dilemën tek partitë tjera shqiptare, të cilat mendojnë se zoti Ahmeti e ka nxjerrë këtë propozim kur po i bie mbështetja tek votuesit. Partitë opozitare shqiptare thonë se së pari duhet ndryshuar kushtetuta dhe emërtimi ofendues i komunitetit shqiptar në të.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG