Lidhje

Shërimi i pacientit, shpresë për kërkime


Tim Brown i tha Zërit të Amerikës se që nga viti 2007, nuk ka asnjë shenjë të virusit HIV

Një burrë i prekur me virusin HIV dhe i diagnostikuar me një formë akute të kancerit nuk ka asnjë shenjë të këtyre sëmundjeve, 5 vjet pasi onkologisti i tij përdori një mënyrë të re trajtimi për të goditur kancerin dhe virusin HIV. Mjekët thonë se ky njeri është pacienti i parë me HIV, plotësisht i shëruar.

Timothy Brown ishte i njohur dikur në revista mjekësore si "pacienti i Berlinit", njeriu që kishte HIV, por jo më. Ai zbuloi identitetin e tij në vitin 2010 dhe tani nxit kërkimet për një kurë për Sidën.

"Unë kam disa probleme në lëvizje, por përveç kësaj, ndjehem shumë mirë. Është mirë të jesh i shëruar".

Tim Brown i tha Zërit të Amerikës se që nga viti 2007, nuk ka asnjë shenjë të virusit HIV.

"Jam shëruar plotësisht. Nuk kam asnjë pasojë nga virusi, dhe nuk kam më nevojë për ilaçe."

Tim Brown jetonte në Berlin në vitin 1995 kur u diagnostikua me HIV. Në vitin 2006, një mjek e diagnostikoi edhe me leukemi.

Onkologjisti Gero Huetter, e dinte se 1 në 100 njerëz, kryesisht evropianët veriorë, janë shumë rezistentë ndaj HIV-it për shkak të një mutacioni gjenetik.

Ky mutacion gjenetik njihet mirë nga mjekët e specializuar për sëmundjet HIV/SIDA, thotë Paula Cannon i Universitetit të Kalifornisë Jugore.

"Nëse personat që e kanë këtë ndryshim gjenesh ekspozohen ndaj virusit HIV, organizmi i tyre në një farë mënyre nuk e pranon ose e nxjerr jashtë virusin".

Në vitin 2007, Brown kreu një rrezatim të përgjithshëm të trupit dhe pastaj një transplantim të palcës së marrë nga një dhurues me gjen rezistent ndaj virusit HIV. Ai menjëherë ndërpreu marrjen e ilaçeve kundër HIV-it. Edhe pse leukemia iu kthye, virusi HIV nuk u shfaq më.

"Transplantimi i parë shkoi mirë, por i dyti ishte mjaft i tmerrshëm. Këtë nuk do t'ia dëshiroja asnjeriut", thotë Tim.

Shkencëtarët theksojnë rreziqet e transplantimeve, por nevoja e transplantimit për Timin ishte e madhe sepse ai do të kishte vdekur nga leukemia".

Tim Brown pësoi dëme neurologjike por tani është çliruar nga virusi HIV. Ai ka kryer shumë analiza dhe nuk ka asnjë shenjtë të virusit në organizëm, thotë Dr Robert Siliciano në universitetin Johns Hopkins.

"Tim ka qenë jashtë trajtimit për pesë vjet dhe virusi nuk është rishfaqur, pra ai është shëruar".

"Shërimi i tij është me të vërtetë një simbol të asaj që ne mund të bëjmë, dhe shpresa që mund të ngjallim".

Dr Susan Blumenthal e Fondacionit për Kërkime në fushën e Sidës thotë se kjo arritje ka frymëzuar që 75 për qind e fondeve të shkojnë për kërkime në gjetjen e një kure.

Dhe të gjithë janë optimistë me terapinë e gjeneve për të zhvilluar qelizat me mutacion rezistent ndaj virusit HIV.
XS
SM
MD
LG