Lidhje

Debati mbi nxjerrjen e uraniumin në Virxhinia


Një nga depozitat më të mëdha të uraniumi në botë ndodhet në një zonë rurale të varfër në shtetin amerikan të Virxhinias

Një nga depozitat më të mëdha të uraniumi në botë, që kap vlerën e rreth 7 miliard dollarëve, ndodhet në një zonë rurale të varfër në shtetin amerikan të Virxhinias. Kronika në vazhdim na njeh me përpjekjet e një kompanie për nxjerrjen e mineraleve për të marrë miratimin e qeverisë për nxjerrjen e këtij metali të çmuar por të rrezikshëm. Përpjekjet e kompanisë janë pritur me rezistencë të fuqishme nga një grup i vogël që e kundërshton me vendosmëri nxjerrjen e uraniumit në këtë rajon të Shteteve të Bashkuara.

Kompania Virginia Uranium thotë se në thellësinë nëntokësore të qytetezës Cole Hill ndodhen më shumë se 53 milion kilogram uranium. Kompania po kërkon nga shteti të drejtën për të filluar gërmimet në këtë rajon me kullota dhe tokë bujqësore. Zëdhënësi i kompanisë Patrick Uells thotë se projekti do të sillte përfitime të mëdha për ekonominë lokale.

“Në këtë pjesë të Virxhinias papunësia është në nivel dyshifrorë. Të ardhurat mesatare familjare këtu janë më pak se 30 mijë dollarë në vit. Realizimi i këtij projekti do të krijonte mijëra vende pune dhe do të rriste nivelin e pagave”.

Ai thotë se hapja e një miniere këtu do të bënte që Shtetet e Bashkuara të jenë më pak të varura nga importet e jashtme të këtij metali radioaktiv të nevojshëm për furnizimin e 104 reaktorëve bërthamorë të vendit.

Megjithatë, Deborah Ferruccio dhe aktivistë të tjerë rajonalë deri tani kanë arritur të bllokojnë përpjekjet e kompanisë për të pezulluar moratoriumin kundër nxjerrjes së uraniumit në Virxhinia.

Ajo thotë se nxjerrja e uraniumit në mbarë botën ka shkaktuar dëme të mëdha të mjedisit, duke çliruar mbetje radioaktive me nivele të larta toksike në burimet ujore lokale dhe madje edhe përhapjen e pluhurit helmues në atmosferë.

“Ata e dinë se është e pamundur që të sigurohen mbetjet toksike. Ata e dinë se mund të përpiqen të minimizojnë ndotjen nga mbetjet, por nuk do të arrijnë t’i ndalin tërësisht rrjedhjet radioaktive. Ata thjeshtë do të ndjekin një proces që është i ngjashëm me groposjen dhe mbështjelljen me najlon të mbetjeve nën një fushë të madhe”.

Kompania Virginia Uranium thotë se do të marrë masa për të mbrojtur furnizimin me ujë gjatë gërmimeve dhe ka në plan t’i magazinojë nën tokë mbetjet toksike duke i mbështjellë me shtresa argjilore dhe najlon sintetik.

“Është përgjegjësia jonë si kompani për të treguar se ne do të jemi në gjendje të gërmojmë, të përpunojmë dhe të sigurojmë magazinimin e mbetjeve”.

Në vitin 1978 Komisioni Amerikan për Rregullimin e Energjisë Bërthamore ka miratuar rregulla të forta të sigurisë për nxjerrjen e uraniuimit në përpjekje për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Eksperti i këtij komisioni për uraniumin, Bill Von Till, thotë se edhe nëse Virxhinia heq moratoriumin, kompania duhet gjithashtu t’i respektojë standardet e larta të komisionit.

“Në fund të fundit, nëse ata nuk mund të plotësojnë kriteret tona dhe nuk na sigurojnë se do të mbrojnë shëndetin publik, ne nuk do t’i japim lejen”.

Naomi Hodge-Muse, e cila jeton në afërsi të depozitave të uraniumit, nuk është bindur nga garancitë që kanë dhënë qeveria dhe kompania Virginia Uranium. Ajo thotë se qytetarëve të thjeshtë po u kërkohet të marrin përsipër të gjithë rrezikun në mënyrë që disa anëtarë të elitës të realizojnë fitime të mëdha.

“Ne po sakrifikojmë të varfërit, të bardhë apo zezakë, për begatinë e industrisë bërthamore”.

Tani për tani, përpjekjet për të pezulluar moratoriumin mbi nxjerrjen e uraniumit kanë ngecur në Asamblenë e Përgjithshme të Virxhinias, por të dyja palët thonë se çështja është ende e pazgjidhur dhe se ata do të vazhdojnë të lobojnë te ligjvënësit për të krijuar mbështetje publike për betejat e ardhshme legjislative.
XS
SM
MD
LG