Quhet “Udhëkryq i Botës”. Sheshi Times Square në Nju Jork është vendndodhja për një nga festat më të mëdha të vitit, të shënuar me uljen dramatike të një topi të kristaltë ndërsa një turmë gati prej një milion njerëzish festojnë Vitin e Ri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Evgeny Maslov përgatiti materialin.
Tradita është më shumë se njëqind vjeçare. Festa e parë u mbajt më 31 dhjetor të vitit 1907. Një ballonë zbriti nga lart përmes turmës. Tani, është e pamundur për njujorkezët dhe ata që ndjekin nëpërmjet ekranit në mbarë botën ta imagjinojnë pragun e Vitit të Ri pa topin e famshëm që përbëhet nga më shumë se dy mijë e gjysmë copëza kristali dhe 32 mijë drita.
Topi i parë peshonte pak më shumë se 300 kilogramë dhe ishte 1.5 metra në madhësi. Sot, topi është më shumë se 3 metra e gjysmë në diametër dhe peshon më shumë se pesë ton. Çdo vit ai ka një temë të veçantë.
“Këtë vit, topi me kristale Waterford ka temën “Dhurata e qetësisë dhe paqes”, e cila pas një viti 2017 që ishte plot zemërime dhe vështirësi, është një temë që ne mendojmë se i përshtatet me të vërtetë asaj që na duhet, ndërsa bëhemi gati të mirëpresim 2018-ën”, thotë Tim Tompkins, president i Times Square Alliance.
Pjesët e kristalta të topit prodhohen tradicionalisht nga kompania irlandeze Waterford. Zejtarët ndodhen në Nju Jork dhe po punojnë për t’i instaluar ato, bazuar në vizatime që ilustrojnë temën e këtij viti.
“Nëse shikoni nga afër, mund të vini re detaje sipas temës së këtij viti. Ju mund të shihni flutura të ndërthurura sikur po vallëzojnë bashkarisht. Kjo simbolizon ne, si individë, ne si qenie njerëzore që të jemi versioni më i mirë i vetvetes në çdo kohë” thotë Tom Brennan, i kompanisë Waterford Crystal.
Ulja e topit në mesnatë është vetëm një pjesë e festimit. Mbi një milion dollarë shpenzohen për sigurinë dhe argëtimin për aktivitetin e Vitit të Ri, i cili ndiqet kudo në botë.
“Kemi një program të bukur këtij viti. Në orën 18:00 do të ndriçojmë dhe do të ngremë topin e Vitit të Ri Waterford Crystal në Sheshin Times Square, dhe pastaj do të kemi shfaqje muzikore të mahnitshme”, thotë Jeff Strauss, i kompanisë Countdown Entertainment.
Përveç një milion turistëve që priten të shikojnë festimin e Vitit të Ri në Sheshin Times Square, 175 milionë njerëz do ta ndjekin transmetimin në televizion jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në mbarë botën ndërsa mirëpritet 2018-a.
Facebook Forum