Lidhje

100 vjetori i përfshirjes së SHBA në Luftën I Botërore


Shtetet e Bashkuara zyrtarisht hynë në Luftën e Parë Botërore 100 vjet më parë, më 6 prill, 1917. Amerika braktisi politikën e neutralitetit, gati tre vjet pas fillimit të konfliktit të përgjakshëm që tani njihet si "Lufta e Madhe."

Lufta filloi në korrik të vitit 1914, kur Evropa po kalonte një periudhë të trazuar. Pas vrasjes në Sarajevë të Arqidukës së Austrisë, Franz Ferdinandit dhe gruas së tij, Sofia, nga një person që dyshohej se i përkiste një grupi nacionalist serb, Fuqitë Qendrore (https://www.britannica.com/topic/Central-Powers) - Gjermania, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Bullgaria sulmuan Rusinë, Francën dhe Britaninë.

Lufta ishte konflikti më i dhunshëm në shekuj, kryesisht për shkak të përparimeve teknologjike që rezultuan nga revolucioni industrial. Ushtritë e modernizuara përdornin tanke, eksplozivë të sofistikuar, mitralozë, aeroplanë dhe armë kimike.

Menjëherë pasi Gjermania i shpalli luftë Rusisë dhe Francës në gusht të vitit 1914, Presidenti Woodrow Wilson i tha senatit amerikan: "Shtetet e Bashkuara duhet të jenë neutrale në vepra dhe në fjalë. Ne duhet të jemi të paanshëm në mendime, si dhe në veprime."

Në nëntor të vitit 1916, presidenti Wilson u rizgjodh për një mandat të dytë pas një fushate me moton: "Ai na mbajti jashtë luftës!"

Shtetet e Bashkuara mbetën neutrale deri pas një numri veprimesh provokuese nga ana e gjermanëve, duke përfshirë sulmet vdekjeprurëse të nëndetësve gjermane kundër anijeve tregtare amerikane dhe sulmit të anijes nën-ujore gjermane, U-boat ndaj anijes britanike të pasagjerëve, Lusitania në brigjet e Irlandës, që ndryshuan opinionin publik amerikan në lidhje me luftën.

Në fillim të vitit 1917, Shtetet e Bashkuara mësuan synimet e Telegramit Zimmermann, një mesazh i koduar nga Sekretari i Jashtëm gjerman Arthur Zimmermann në të cilin ai përpoq të bindë Meksikën të hynte në aleancë me gjermanët kundër Amerikës. Në shkëmbim të hyrjes në aleancë, thuhej në telegram, Gjermania do të ndihmonte Meksikën të rimerrte territoret që ajo i kishte humbur në konfliktet me Shtetetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo e nxiti Presidentin Wilson të vepronte.

Në një fjalim në Kongresin Amerikan më 2 prill 1917, Wilson paraqiti arsyet e transformimit të Shteteve të Bashkuara në një udhëheqëse botërore: (https://www.archives.gov/publications/prologue/2017/spring/wwi-america -enters)

"Ne duhet të luftojmë për çështjet që ne gjithmonë i kemi mbajtur afër zemrave tona, për demokraci, për të drejtën e qyetarëve për të pasur një zë në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e popujve të vegjël, për një sundim universal të së drejtës në bashkëpunim me popujt e lirë që duhet t'i sjellë paqen dhe sigurinë të gjithë popujve dhe në fund ta bëjë botën të lirë."

Katër ditë më vonë, Shtetet e Bashkuara i shpallën luftë Gjermanisë, duke hyrë zyrtarisht në Luftën e Parë Botërore.

Trupat e para amerikane mbërritën në Francë në qershor të vitit 1917. Më pak se një vit më vonë, në pranverën e vitit 1918, ato ishin një forcë e rëndësishme në luftimet për aleatët.

"Ata sollën trupat, materialet, burimet për të cilat aleatët kishin nevojë," thotë historiani Libby H. O'Connell.

Ardhja e trupave amerikane ishte një faktor kyç në përmbysjen e balancës mes trupave evropiane të përfshira në konflikt dhe i dhanë fund luftës (https://www.loc.gov/exhibitions/world-war-i-american-experiences/ Timeline /) më 11 nëntor, 1918, që tani njihet si Dita e Armëpushimit. Shtetet e Bashkuara ende e festojnë 11 nëntorin si një festë kombëtare, por në vitin 1954 emri i saj u ndryshua, tani ajo quhet Dita e Veteranëve dhe në këtë festë nderohen veteranët e të gjitha luftërave.

Lufta e Madhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme në historinë botërore.

Ajo është përshkruar nga historianët si një luftë kataklizmike, katastrofike dhe transformuese. Në vetëm katër vjet, rendi botëror u ndryshua në mënyrë dramatike, duke çuar në shpërbërjen e disa fuqive dhe krijimin e fuqive dhe shteteve të reja.

Pas vetëm nëntë muajsh në luftë, Shtetet e Bashkuara u shndërruan në një fuqi të respektueshme botërore dhe në pjesën tjetër të shekullit të 20 u bënë një udhëheqëse e fortë globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë ekonomia më e madhe në botë, pak para se të shpërthente lufta dhe sfida e mobilizimit nxiti madje një rritje ekonomike edhe më të shpejtë.

Modernizimi ushtarak i shfaqur në Luftën e Madhe ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si zhvillohen luftërat, dhe shkaktoi një rritje masive të kostos së konfliktit. Betejat rezultuan në numër tepër të madh viktimash, 9 deri 14 milionë ushtarë thuhet se kanë vdekur gjatë luftës.

Fundi i Luftës së Parë Botërore nuk shënoi fundin e problemeve të Evropës. Lufta e Dytë Botërore shpërtheu rreth dy dekada më vonë, më 1 shtator 1939, kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë. Shumë historianë thonë se dobësitë e Traktatit të Versajes të vitit 1919, që i dha fund Luftës së Parë Botërore, çuan në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG