Lidhje

Trashëgimia e presidentit Kennedy


22 nëntori shënon 50 vjetorin e një prej ngjarjeve më dramatike në historinë e Shteteve të Bashkuara, vrasja e presidentit John Kennedy në Dallas të Teksasit. Anketat e opinionit tregojnë se ai vazhdon të jetë popullor dhe shumë amerikanë vazhdojnë të frymëzohen nga idealet dhe shpresat që përbëjnë trashëgiminë e tij.


Eksplorimi i hapësirës ishte një pjesë e rëndësishme e administratës së presidentit John Kennedy.

Suksesi i hershëm i misioneve në hapësirë të anijes Mercury nën administratën Kennedy krijoi kushtet për dërgimin e njeriut në hënën në vitin 1969 dhe vazhdon të jetë një prej arritjeve të tij më të rëndësishme.
Kathleen Kennedy Townsend është vajza e madhe e Robert Kennedy-it dhe mbesa e Presidentit Kennedy.

“Synimi i tij nuk ishte se çfarë mund të bënte ai për popullin amerikan, por vetë populli amerikan të ndërmerrte këtë hap sepse ishte diçka e vështirë. Ai synonte që Shtetet e Bashkuara të dërgonin njeriun e tyre në hapësirë, kjo ishte një ndërmarrje e vështirë dhe do të konsumonte shumicën e energjive tona, por kjo arritje do të na bënte një popull më të mirë”.

Një prej çështjeve më të ndërlikuara me të cilat u përball presidenti Kennedy ishin të drejtat civile. Pak muaj para se të vdiste, Kennedy i bëri përsëri thirrje Kongresit që të vepronte.

“Ne përballemi kryesisht me një çështje morale. Është një çështje e vjetër si Bibla dhe e qartë si Kushtetuta amerikane. Thelbi i kësaj çështjeje ka të bëjë me faktin nëse të gjithë amerikanëve do t’u garantohen të drejta dhe mundësi të barabarta”.

Harris Wofford ishte këshilltar i Presidentit Kennedy mbi të drejtat civile.

“Ne nuk e dimë se çfarë gjëra të mëdha do të kishte aritur ai. Mendoj se ne humbëm një njeri që kishte filluar punën drejt arritjeve të mëdha në një kohë që një gjë e tillë ishte e nevojshme”.

Shumë njerëz ende ngrenë pyetjen se si mund të ishte bota sot nëse John Kennedy do të kishte jetuar.

“Është diçka e trishtueshme. Vendi ynë humbi shumë në nëntor të vitit 1963 dhe kur babai im u vra. Ishte një humbje e madhe. Mendoj se ne do të ishim sot një vend shumë më i mirë nëse ata do që kishin jetuar. Unë nuk besoj në idenë se nga një tragjedi vjen diçka e mirë. Mendoj se vrasja e tyre u pasua me shumë dhimbje dhe nga shumë gjëra negative për vendin tonë”.

Pak muaj para se të vdiste, Presidenti Kennedy kaloi pak ditë në Irlandë, vendlindja e paraardhësve të tij.

“Pasi shkoi në Berlin, Presidenti Kennedy shkoi në Irlandë. Ai thoshtë se ato ishin 4 ditët më të lumtura të jetës së tij. Ditën kur u vra në Dallas, ai kishte një lule në xhepin e xhaketës. Jackie ia dërgoi lulen popullit të Irlandës në qytetin e gjyshit të tij sepse ajo e dinte fare mirë se sa shumë besonte John-i në vlerat që vinin nga përvoja prej imigrantit irlandez”.

“Energjia, besimi fetar dhe përkushtimi, që ne sjellim në këtë përpjekje do të ndriçojë vendin tonë dhe të gjitha ata që i shërbejnë atij dhe ky ndriçim me të vërtetë mund të përhapet në gjithë botën”.

Fjalët e presidentit John Kennedy ende bëjnë jehonë dhe flaka mbi varrin e tij vazhdon të digjet, si një fanar për ata që duan ta bëjnë botën edhe më të mirë.

XS
SM
MD
LG