Lidhje

BE-OSBE: "Shteti dhe shoqëria shqiptare të luftojnë korrupsionin së bashku".


OSBE dhe Bashkimi Europian i bënë sot thirrje autoriteteve dhe shoqërisë shqiptare të shtojnë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të hedhin hapa të mëtejshme në rrugën e integrimit europian.

Kreu i Pranisë së OSBE në Shqipëri, ambasador Bernd Borchardt, dhe drejtuesja e misionit të BE-së në Shqipëri, ambasadore, Romana Vlahutin, i bënë këto komente në një forum të nivelit të lartë organizuar në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.

Ambasadori Borchardt tha se korrupsioni mbetet problem serioz në Shqipëri, dhe se pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që pritet ta luftojnë atë vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative.

“Pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit nga shoqëria dhe rrjetet e ngushta sociale e bëjnë luftën kundër korrupsionit një detyrë të vështirë - tha ambasadori i OSBE-së, Borchardt,- ndaj nevojiten më shumë përpjekje në garantimin e integritetit të zyrtarëve të zgjedhur dhe në ndërtimin e një administrate publike të besueshme, funksionale dhe transparente”.

OSBE po e ndihmon Shqipërinë në këto përpjekje, por krahas kësaj dhe veprimeve të vetë qeverisë, nevojitet një përfshirje më e thellë e shoqërisë civile, medias dhe komunitetit të biznesit në luftën kundër korrupsionit.

Sipas tij, OSBE po bashkëpunon me institucionet në monitorimin e politikave, rishikimin e ligjeve, forcimin e kapaciteteve, sjelljen e mirë me bizneset, edukimin e rinisë, si dhe duke nxitur një pjesëmarrje më të madhe të shoqërisë civile në proceset e konsultimit të politikave, sepse sfida kryesore mbetet rivendosja e besimit të qytetarit tek administrata.

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, BE vlerësoi se Shqipëria duhet ta luftojë atë çdo ditë. Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, tha se korrupsioni shkel rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, kosto e tij ekonomike, njerëzore dhe sociale është e rëndë.

“Ju si qytetarë, nuk duhet të keni frikë dhe nuk duhet të jepni paga shtesë për mjekimin e nënës apo të fëmijës, mos jepni rryshfete kur kërkoni punë, mos mendoni rryshfeti është i vetmi mjet për të fituar të drejtën në gjykatë. - tha ambasadorja Vlahutin. - Qytetarët duhet t'u kërkojnë institucioneve që t'i trajtojnë si të barabartë, sepse korrupsioni nuk lejon të ndërtohen rrugë të mira, shkolla dhe spitale, ngaqë i con paratë në xhepa private.

“Reforma në drejtësi është kyçi për antikorrupsionin dhe procesi i vettingut është kyçi për suksesin e kësaj reforme” - tha zonja Vlahutin. - Komisioni i Venecias do të japë përgjigjet e veta nesër mbi pyetjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe gjithë institucionet dhe partitë shqiptare janë shprehur se do të jenë dakord me të. Ne shpresojmë që Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë një udhërrëfyes i qartë për nisjen e vettingut dhe zbatimin e reformës gjyqësore, në mënyrë që Shqipëria të përparojë dejt Bashkimit Europian. Çdo skenar tjetër nuk do të jetë i mirë, dhe do të vonojë përparimin dhe përfitimet e qytetarëve”.

Diplomatët e BE-së dhe OSBE-së shprehën shqetësimin se mjedisi i korruptuar rrit kostot e të bërit biznes, shkurajon investitorët e huaj, deformon tregjet dhe përparësitë në investime dhe dëmton besimin tek administrata publike.

Korrupsioni, pohuan ata, është një kërcënim i kudogjendur, që dënon me varfëri grupet e pambrojtura, rrit pabarazinë, devijon fondet e kujdesit shëndetësor, arsimor dhe mund të çojë në mungesa të ndjeshme të stabilitetit shoqëror dhe në konflikte.

XS
SM
MD
LG