Lidhje

Imigracioni i paligjshëm në kufirin SHBA - Meksikë


Imigracioni i paligjshëm në kufirin SHBA - Meksikë
Imigracioni i paligjshëm në kufirin SHBA - Meksikë

Njerëz që kanë pronat e tyre në Arizonën jugore mund të shohin Meksikën nga verandat e shtëpive të tyre. Glen Spenser banon në kufi.Ai thotë se po përpiqet të ndalojë një dyndje imigrantësh të paligjshëm.

Patrullat kufitare amerikane shpesh kontrollojnë këtë hapësirë, përfshirë edhe pronën e Spenserit. Por, ai thotë se shumë kalimtarë të kufirit ia dalin mbanë gjithsesi. Spenser ka krijuar një organizatë private të quajtur Kontrolli Amerikan i Kufirit për të monitoruar kufirin.

Grupi është kritikuar për racizëm, por Spenser thotë se kjo nuk ka aspak të bëjë me racën, vetëm me sigurinë e kufirit.

Matanë kufirit në Meksikë, në qytetin e qetë të Nakos ka një valë të pandërprerë të atyre që tentuan të kalonin kufirin dhe që janë deportuar nga ana amerikane.

Qendra e Burime për Migrantët udhëhiqet nga vullnetarë amerikanë që dëgjojnë për raste të kalimeve të rrezikshme të kufirit. Vullnetarët japin ushqim dhe ndihmë mjekësore.

Artisti nga Arizona Pitër Young po ndihmon në këtë qendër.

“Njerëzit me të cilët merremi këtu kanë provuar të kalojnë kufirin dhe kanë dështuar.” - thotë ai

Ai thotë se disa kalimtarë e kalojnë me sukses kufirit pas disa përpjekjesh, ndërsa të tjerët heqin dorë.

Disa raste përfundojnë tragjikisht. Më shumë se 200 të dyshuar si kalimtarë të kufirit kanë vdekur në shkretëtirën afër Tusânit vitin e kaluar. Kartelet e drogës kontrollojnë pjesën më të madhe të trafikut njerëzor dhe disa imigrantë janë viktima të dhunës, përfshirë edhe përdhunimin seksual. Veç kësaj, një fermer amerikan u vra sivjet, ndërsa autoritetet thonë se ka të ngjarë që vrasësi ishte kontrabandist meksikan i drogës.

Një grua, me emrin Artemia, u braktis nga trafikanti i saj në mes të shkretëtirës. Tani ajo po përballet me një dilemë.

Ajo thotë se ka jetuar në qytetin amerikan të Indianapolisit për shtatë vjet. Ajo u kthye në Meksikë pasi i vdiq i ati dhe u arrestua dy herë tek përpiqej të kthehej me të bijën 19-vjeçare. Ajo ka dy djem të lindur në Shtetet e Bashkuara, njëri pesë dhe tjetri shtatë vjeç, të cilët rrinë me motrën e saj në Shtetet e Bashkuara. Artemia thotë se djemtë mund të detyrohen të bashkohen me të në Meksikë.

Asaj i ndihmojnë priftërinjtë dhe murgeshat katolike që udhëheqin një shoqatë bamirëse në qytetin meksikan Nogales.

Shumica e migrantëve janë nga qytete të vogla dhe prifti katolik Pit Nilli thotë se ata viktimizohen në kufi.

“Ata kanë besim tek njerëz tek të cilët nuk duhet të kenë besim dhe humbasin paratë dhe dokumentet e identifikimin apo çfarëdo që bartin me vete.” - thotë ai

Pjesëtarët e kishës ofrojnë ushqim dhe këshillim.

Në veri, në Arizonë, banori Bill Odëll dëshiron më shumë siguri përgjatë kufirit, por shpreh dhembshuri për mërgimtarët, siç është rasti i një gruaje, e cila u gjet në pronën e tij.

“Atë e braktisi grupi me të cilin udhëtonte. Është në vend të huaj. Rrëfimi i saj është se sa të këqinj jemi ne gringot, ne amerikanët. Të çan zemrën. Me të vërtetë pikëlluese.” - tregon ai

Ata që banojnë dhe punojnë përgjatë kufirit thonë se problemet janë të ndërlikuara, përfshirë kërkesat për siguri më të madhe dhe lutjet për ndihmë nga imigrantë të dëshpëruar. Këto tregime njerëzore, thonë ata, humbasin shpesh prapa debateve rreth politikave qeveritare.

XS
SM
MD
LG