Lidhje

Zëri i Amerikës në shqip përballë eliminimit


Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet, agjencia e qeverisë amerikane që mbikqyr Zërin e Amerikës, ka publikuar hollësitë e propozimit për buxhetin e vitit 2015, që parashikon eliminimin e programeve në gjuhët e Ballkanit dhe rrit shpenzimet për Azinë dhe Afrikën.

Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet po i kërkon Kongresit 721 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2015, një ulje prej 10 milionë dollarësh nga buxheti i këtij viti që kap 731 milionë dollarë. Zyrtarët e agjencisë thonë se qëllimi është krijimi i programeve për audiencën e brezit të ri të shikuesve me anë të mediave që dëgjuesit dhe shikuesit globalë po i përdorin gjithnjë e më shumë.

Kërkesa për buxhetin e vitit 2015 përfshin nismat për platformat e transmetimeve me video për të rinjtë dhe platformat dixhitale për Kamboxhian, Vietnamin dhe Birmaninë.
Për Kinën, Bordi i Guvernatorëve ka në plan të rrisë përdorimin e mediave sociale dhe programet për luftimin e censurës në internet.

Bordi po planifikon krijimin e një kanali të ri televiziv satelitor dhe një radiostacioni në rajonin Sahel të Afrikës veri-qendrore. Do të hapet edhe një shërbim i ri në gjuhën Lingala për Republikën Demokratike të Kongos.

Programet e Zërit të Amerikës për mësimin e anglishtes pritet të zgjerohen.

Por buxheti i vitit 2015 do të eliminojë shërbimet e gjuhëve që transmetojnë programe për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Shërbimet që transmetojnë për Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Iranin, dhe Uzbekistanin do të reduktohen. Edhe transmetimet për Kubën do të pësojnë shkurtime të mëdha.

Propozimi për buxhetin e vitit 2015 parashikon mbylljen e zyrave të Zërit të Amerikës në Jeruzalem dhe Hjuston.

Dave Allison, kryetari në detyrë i sindikatës që përfaqëson shumë punonjës të Zërit të Amerikës, tha se me eliminimin e këtyre shërbimeve, Zëri i Amerikës po "tërhiqet" nga misioni i tij historik që filloi në vitin 1942. Ai tha se punonjësve të programeve për Ballkanin iu mbushën sytë me lotë pasi mësuan se shërbimet e tyre përballen me eliminimin.
XS
SM
MD
LG