Lidhje

Grupi i shqiptaro-amerikanëve mbështet fushatën Obama


Në Nju Jork, një grup shqiptaro-amerikanësh të njohur të komunitetit shprehën mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e kandidatit demokrat Barak Obama. Në këtë grup përfshihet edhe ligjvënësi Eliot Engel. Ata bënë thirrje që edhe shqiptarë të tjerë të mbështesin rizgjedhjen e Presidentit Obama.

Ilir Zherka, i cili deri tani ka drejtuar organizatën DC Vote në Uashington, tha se Presidenti Barak Obama është përpjekur për të shpëtuar ekonominë dhe për të ringjallur ëndrrën amerikane, por i ka dhënë përkrahje edhe shqiptarëve në Ballkan:

“Të gjithë ne këtu jemi shqiptaro-amerikanë dhe si shqiptarë ne përkrahim presidentin Obama për mbështetjen e tij të forte ndaj shqiptarëve në Ballkan, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Studiuesi Sami Repishti tha se Presidenti Obama ka një politikë të jashtëme në interes të paqes dhe të sigurisë nga e cila mund të përfitojnë edhe shqiptarët. Zoti Repishti tha:

“S’kam asnjë dyshim se veprimtaria e grupit që drejton politikën e jashtme në SHBA, janë në gjendje të bëjnë një politikë të jashtme që siguron paqen në botë dhe të mira për vendin tone, për Shqipërinë dhe Kosovën.

Ken Biberaj, kandidat për këshillin e qytetit të Nju Jorkut, tha se shqiptarët si komunitet duhet të kuptojnë se SHBA i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe po ashtu Presidenti Obama i ka mbështetur të drejtat e tyre.

"Do t’i inkurajoja të gjithë shqiptarët që jo vetëm të votojnë për Presidentin Obama por edhe të japin kontribute me fonde, të bindin edhe miqtë dhe familjarët e tyre që të mbështesin presidentin Obama." - tha zoti Biberaj

Aktiviteti u organizua në zyrën e fushatës së zotit Obama në Nju Jork.
XS
SM
MD
LG