Lidhje

Romney, në përpjekje të rigjallërimit të fushatës


Në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, anketat e fundit tregojnë se Presidenti Barack Obama ka një epërsi modeste ndaj rivalit të tij republikan, ish-guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney.

Zoti Romney po përpiqet ta riorganizojë fushatën pas një periudhe të vështirë dyjavore.
Ai po përpiqej të riparonte dëmin politik, ndërsa fliste me votuesit hispanikë në kanalin televiziv në spanjisht, Univision.

“Unë bëj fushatë për 100 për qind të amerikanëve dhe shqetësohem për ta. Shqetësohem për faktin se gjatë katër vjetëve të fundit është bërë më e vështirë për amerikanët” - tha ai

Zoti Romney është vënë në pozita mbrojtëse pas publikimit të një videoje të xhiruar fshehtas në një darkë për grumbullim fondesh në maj, ku ai fliste me një ton shpërfillës ndaj përkrahësve të zotit Obama. Ai tha se 47 për qind e votuesve do ta mbështesin presidentin pa diskutim, sepse ata varen nga ndihmat e qeverisë dhe e shohin veten si viktima:

“Prandaj puna ime nuk është të shqetësohem për këtë grup. Nuk do të mund t’i bind kurrë se duhet të marrin përgjegjësinë dhe të kujdesen për jetën e tyre”.

Presidenti Obama reagoi në një emision televiziv.
“Kur takoj republikanë kur udhëtoj në gjithë vendin, ata janë njerëz që punojnë shumë që e duan shumë këtë vend. Dhe nga përvoja ime mund të them se nëse do që të jesh president duhet të punosh për të gjithë jo vetëm për disa”.

Analistët thonë se komentet e zotit Romney janë dëmtuese të paktën në një kuptim afatshkurtër. Historiani Allan Lichtman thotë:

“Pastaj bën edhe gabimin kolosal që mendon mund t’i thotë gjërat dhe të mbeten sekret. Në këtë kohë që po jetojmë, çdo gjë fotografohet ose filmohet dhe nuk mund thjesht të përjashtosh gjysmën e popullit amerikan si njerëz që varen tek shteti dhe që nuk paguajnë taksa”.

Komentet mund të jenë dëmtuese sepse votuesit edhe në mungesë të tyre e pëlqejnë si personalitet më shumë presidentin sesa zotin Romney, thotë eksperti i sondazheve Peter Brown.

“Shkalla e pëlqimit për njërin ose tjetrin nuk ka ndryshuar dhe votuesit thonë se zoti Obama i kupton nevojat dhe jetët e tyre më mirë se zoti Romney dhe ky është një problem për rivalin e tij”.

Zoti Obama ka krijuar një epërsi të lehtë në anketa që pas kuvendeve dhe zoti Lichtman thotë se mund të ketë përfituar nga perceptimi për ekonominë.

“Ekonomia ishte pika kryesore ku ai mund të kishte avantazh ndaj zotit Obama dhe ky avantazh është zhdukur. Për çdo lloj çështjeje tjetër, si pëlqyeshmëria, siguria kombëtare, politika e jashtme, kujdesi shëndetësor, zoti Obama kryeson”.

Shansi më i mirë dhe ndoshta i fundit për forcimin e pozitave të zotit Romney, do të jenë debatet e muajit të ardhshëm, thotë Peter Brown.

“Jemi në periudhën e fundit të garës dhe presidenti kryeson. Tani ka momentet që i japin zotit Romney mundësi për të ndryshuar status-quonë”.

Përveç debateve presidenciale do të ketë edhe një debat mes nënpresidentit Joe Biden dhe kandidatit republikan për postin, Paul Ryan.
XS
SM
MD
LG