Lidhje

NATO dënon Sirinë për rrëzimin e avionit turk


Vendet anëtare të NATO-s dënuan Sirinë për rrëzimin e një avioni ushtarak turk, duke e quajtur këtë një akt "të papranueshëm" dhe duke kërkuar që Damasku të ndërmarrë hapa për të parandaluar incidente të mëtejshme.

Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të NATO-s u takuan në Bruksel për t'u konsultuar me Turqinë mbi incidentin e së premtes. Thirrja për takimin ishte bërë nga Turqia, anëtare e NATO-s.

"Ne e shohim këtë si një akt të papranueshëm dhe e dënojmë me termat më të ashpra. Ky është një tjetër shembull i mospërfilljes së autoriteteve siriane 'për normat ndërkombëtare, paqen, sigurinë dhe jetën njerëzore," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, pas takimit.

"Siguria e aleancës është e pandashme. Ne qëndrojmë së bashku me Turqinë, në frymën e solidaritetit të fortë," shtoi ai.

Zoti Rasmussen tha gjithashtu se në takim nuk ishte diskutuar për nenin 5 të NATO-s, i cili e sheh sulmin ndaj një vendi të Aleancës si sulm ndaj të gjithë vendeve anëtare.

NATO-ja kërkoi që Siria “të ndërmarrë të gjitha hapat për të parandaluar “shkallëzimin e gjendjes”.

"Është shpresa ime e qartë se gjendja nuk do të vazhdojë të shkallëzohet. Ajo që pamë është një akt krejtësisht i papranueshëm dhe unë do të shpresoja që Siria të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të shmangur ngjarje të tillë në të ardhmen," tha zoti Rasmusen.

Ankaraja e ka quajtur incidentin një "akt agresioni". Damasku thotë se e rrëzoi avionin për vetëmbrojtje pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore siriane.

Është hera e dytë në historinë 63-vjeçare të NATO-s që vendet anëtare mblidhen në bazë të nenit 4 të statutit të saj, i cili parashikon konsultime kur një vend anëtar ndjen se është kërcënuar integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e tij.

Ndërkohë, kryeministri turk Recep Tajip Erdogan tha në parlamentin e vendit se reagimi i matur i vendit të tij ndaj sulmit të së premtes nuk duhet të merret për dobësi.

Ai tha se miqësia e Turqisë është e çmuar por "zemërimi" i saj është po aq i fortë. Zoti Erdogan tha se ushtria e Turqisë do t’i përgjigjet çdo shkeljeje të kufirit nga Siria.
XS
SM
MD
LG