Sipas një ankete të kryer nga Reuter/Ipsos, republikanët në SHBA janë shumë më skeptikë se demokratët se votat e tyre do të numërohen nëse hidhen me postë dhe më pak të sigurt se ata do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit, nëse shteti i tyre kalon në sistemin e votimit plotësisht me postë.
Sondazhi konstaton se gati dy herë më shumë demokratë sesa republikanë i mbështesin përpjekjet për të zgjeruar opsionet e votimit me postë, një tregues ky i ndarjeve të thella partiake në vend, të ndezura nga kritikat e vazhdueshme të presidentit republikan Donald Trump ndaj votimit me postë.
Disa thirrje në shkallë vendi për një përdorim më të gjerë të votimit me postë, që demokratët e mbështesin si një mënyrë e sigurt për aq sa kohë që infeksioni nga koronavirusi të jetë problem, janë bërë shkak për një betejë të ashpër politike me Presidentin Trump, i cili ka përsëritur se një metodë e tillë është e hapur për manipulime.
Studimet tregojnë se janë të pakta provat që e mbështesin një përfundim të tillë dhe vetë zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë dëshmi. Në muajin mars, Presidenti Trump votoi me postë për primaret e shtetit Florida.
Nga sondazhi del se vetëm gjysma e republikanëve, krahasuar me tre të katërtat e demokratëve, janë të bindur se vota e tyre me postë do të numërohej me saktësi. Ndërkaq, vetëm 67 për qind e republikanëve, krahasuar me 85 për qind të demokratëve, mendojnë se ata do të votonin në zgjedhjet e 3 nëntorit nëse shteti i tyre kalon në një votim të pastër me postë.
Në përgjithësi, 59 për qind e amerikanëve besojnë se shteti i tyre duhet të zgjerojë sistemin e votimit me postë elektronike, sipas sondazhit të Reuters / Ipsos, të kryer nga 20 deri në 27 maj.
Facebook Forum