Lidhje

Votuesit në Florida të përqëndruar tek ekonomia


Votuesit në Florida të përqëndruar tek ekonomia
Votuesit në Florida të përqëndruar tek ekonomia

Florida po zhvillohen zgjedhjet paraprake republikane që mund të rezultojnë me rëndësi kritike në betejën për të përcaktuar kandidatin e kësaj partie për president. Votuesit do të zgjedhin mes katër kandidatëve të regjistruar në fletën e votimit, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, i cili ndodhet në Orlando të Floridës, këtë vit zgjedhjesh, ekonomia përbën shqetësimin kryesor të votuesve.

Nëse kërkon një vend ku të rrish me qejf në Floridën qendrore, nuk gjen më mirë se këtu në Winter Park afër Orlandos. Kalendari vërtet shënon janar, por dielli është i bukur dhe tërheqës për të pirë një gotë verë ose për të shijuar një puro.

Jo shumë larg, janë qiellgërvishtësit e Orlandos, ku fillon një ditë e re ndërsa syrit nuk i ndahen reklamat e fushatës presidenciale. Në jug të qytetit, tablloja ndryshon. Këtu shikon dyqane të braktisura që flasin për ëndrra të dështuara dhe për një ekonomi që mezi mbahet në këmbë.

Kandidatët, përfshirë zotin Mitt Romney, flasin shumë për ekonominë në fjalimet e tyre. Romney ia hedh fajin presidentit.

“Presidenti është tepër i shkëputur nga realiteti,” thotë kandidati.

Lucia Mezzancello, përkrahëse e Romnit, thotë se ekonomia është vetëm njëri problem.

“Ekonomia dhe vendet e punës. Romni është njeriu që krijon vende pune.”

Bob Bowman shqetësohet më tepër për krizën në tregun e shtëpive.

“Kam tre shtëpi këtu në Florida, të trejave u ka rënë çmimi. Mirë që nuk i kam bankës borxh. Por, por të përpiqesha të shisja ndonjërën prej tyre tani, do të humbisja shumë.”

Ekonomia është gjithashtu tema kryesore për rivalin e zotit Romney, Newt Gingrich.

Natyrisht, ekonomia është në mendjet e të gjithë votuesve, si Van Tran, biznesi i të cilit u mbyll kohët e fundit.

“Do të desha që ekonomia ta merrte veten dhe të bëhej si më parë dhe të gjithë po përpiqen për këtë.”

Për zonjën Kathy McArthur, çështja është te vendet e punës.

“Nëse na duhet një Amerikë më e fortë, atëhere nuk mund t’i dërgojmë vendet e punës jashtë vendit.”

Por, pasi të jenë larguar kandidatët, Florida do të mbetet përsëri përballë një të ardhmeje të pasigurt, ku premtimi për një jetë të mirë bie ndesh me realitetin e një ekonomie të zymtë.

XS
SM
MD
LG