Lidhje

Uiskonsin: Guvernatori Scott Walker fiton zgjedhjet e parakohshme


Mediat amerikane njoftojnë se guvernatori i shtetit Uiskonsin, republikani Scott Walker, i ka fituar zgjedhjet parakohshme, duke mposhtur demokratin Tom Baret dhe do ta përfundojë mandatin e tij.

Walker kishte mposhtur kryebashkiakun e qytetit Miluaki Tom Baret, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, guvernatori Walker u përpoq ta miratonte një ligj i cili shkurtonte ndjeshëm të drejtën e punonjësve të sektorit publik për të kërkuar ngritjen e pagës dhe përfitime të tjera. Ky veprim i zemëroi sindikatat e punëtorëve dhe aktivistët demokratë. Ligji shkaktoi protesta të mëdha të qytetarëve të zemëruar në kryeqytetin e shtetit, Madison. Përmes një fushate të qytetarëve në fillim të këtij viti u mblodhën gati 1 milionë nënshkrime në një peticion për të detyruar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Guvernatori Walker, i cili ka shërbyer 17 muaj të mandatit të tij katër-vjeçar, tha pasi hodhi votën e tij dje se shumë banorë ndjehen të çliruar që më në fund erdhi dita e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e parakoshme në Uiskonsin shihen edhe si një test për garën presidenciale mes presidentit demokrat Barak Obama dhe kandidatit presidencial të Partisë Republikane, Mitt Romney. Presidenti Obama fitoi lehtësisht në Uiskonsin gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008. Por analistët thonë se fitorja e zotit Walker mund të jetë një tregues se zoti Romney mund të fitojë këtë shtet në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
XS
SM
MD
LG