Lidhje

Shpikja e banjës pa ujë


Themeluesi i Mikrosoftit dhe filantropisti Bill Gates mori pjesë në një panair teknologjie në Siatell të shtetit Uashington ku foli rreth një projekti të ri të fondacionit të tij për të prodhuar një tip tualeti për afro 2.5 miliard njerëz në botë që nuk kanë kanalizime moderne për ujrat e zeza.

Shkencëtarët në mbarë botën i janë përveshur punës mbi këtë sfidë, ndërkohë që dje fondacioni Bill dhe Melinda Gates njoftoi disa projekte që do të kenë më shumë financime për të vënë në praktikë idetë e eksperimentuara në laborator.

“Konstruksioni aktual i banjos ka një problem real. Përdor shumë ujë dhe kërkon sistem të kushtueshëm për sjelljen e ujit të pastër i cili pastaj bëhet i papërdorshëm. Pastaj ky sistem i kushtueshëm i largon ujrat e zeza të cilat shkojnë në një impiant trajtimi. Faktikisht sasia e ujit të përdorur në banjo është dhjetë herë më e madhe sesa ajo që përdoret për konsumim nga njeriu.”

Që të kualifikohesh nga fondacioni, banjoja e ardhshme duhet të funksionojë pa ujë të rrjedhshëm, elektricitet apo sistem të ujrave të zeza, të mos shkarkojë ndotës, preferohet të përftojë energji apo burime të tjera dhe të funksionojë me një kosto prej 5 centësh amerikanë në ditë.

Chris Elias është president i Zhvillimit Global me fondacionin Bill dhe Melinda Gates.

“Jemi mësuar me banjon e lidhur me sistemin e kanalizimeve dhe sistemin e ujit të pastër, kështu që është luks të shkarkosh 4 litra ujë sa herë që përdor banjon. Por shumë vende nuk kanë ujë të mjaftueshëm.”

Kombet e Bashkuara përllogarisin se sëmundjet e shkaktuara nga problemet sanitare janë përgjegjës për rreth gjysmën e të shtruarve në spitale në botën në zhvillim.

Rreth 1.5 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga sëmundjet infektive. Shkencëtarët besojnë se shumica e vdekjeve mund të parandalohen me rregullimin e problemeve sanitare, si dhe sigurimin e ujit të pishëm të pastër dhe përmirësimin e higjenës.

Ekspertët e fondacionit pritet ta testojnë tipin e parë brenda tre viteve të ardhshme. Shumë prej modeleve riciklojnë mbetjet në substanca të tjera si ushqim për kafshët, ujë për vaditje apo vetëm ujë dhe energji për vetë sistemet.

Shumë projekte në panair nuk ishin të teknologjisë së lartë.

Ky projekt i fondacionit filloi rreth një vit më parë. Të martën zoti Gates njoftoi se fondacioni ka caktuar 370 milionë dollarë për rishpikjen e tualetit.





XS
SM
MD
LG