Lidhje

Përleshje në Lindjen e Mesme, vritet një palestinez në Gazë


Një palestinez u vra nga ushtarët izraelitë në Gazë gjatë përleshjeve të premten që palestinezët e kanë quajtur “Dita e indinjatës”, pasi Shtetet e Bashkuara e njohën Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se 30 vjeçari Mahmoud al-Masri u vra në përleshjet përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Gazës. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte goditur dy persona në Khan Yunis në Gazën jugore, duke i akuzuar se ishin “nxitësit kryesorë” të “trazirave të dhunshme”.

Policia izraelite lëshoi gaz lotsjellës ndaj protestuesve palestinezë në Betlehem të premten, në “Ditën e Indinjatës”, siç e cilësuan fraksionet palestineze.

Policia izralite ka angazhuar forca shtesë sigurie për Jeruzalemin, pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump se ai është kryeqyteti i Izraelit dhe se Shtetet e Bashkuara kanë në plan ta zhvendosin ambasadën atje.

Grupi ekstremist islamik Hamas, shkoi edhe përtej "Ditës së Indinjatës", duke bërë thirrje për një kryengritje të re pas lutjeve të së Premtes.

Zyrtari i Hamasit, Hassan Youssef tha se “vendimi amerikan i hedh benzinë zjarrit dhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duhet të vuajnë pasojat e veprimeve të tyre".

Në të kaluarën, Izraeli ka vendosur kufizime moshe në kompleksin e Tempullit të Malit në Jeruzalem ku shpesh shpërthen dhuna gjatë momenteve të tensionuara. Zëdhënësi i policisë izraelite Mickey Rosenfeld tha se nuk ka sinjale për turbullira në tempull, këshuqë deri tani nuk janë vënë kufizime moshe.

Në atë vend ndodhet Xhamia Al Aqsa, objekti i tretë më i shenjtë i Islamit. Për hebrenjtë Tempulli i Malit, është vendi më i shenjtë.

Protesta po mbahen të premten në gjithë Lindjen e Mesme dhe vende me shumicë myslimane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG