Sekretari amerikan i Tregtisë Wilbur Ross u përball me pyetje të vështira gjatë një seance dëgjimore të Senatit mbi propozimet dhe veprimet tarifore të administratës Trump. Senatorë në të dy anët e spektrit politik kritikuan vendosjen e tarifave të propozuara nga administrata për importin e çelikut dhe aluminit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff sjell më shumë hollësi.
I përballur me një grup dypartiak senatorësh në Kongres, sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross, i doli në mbrojtje betejës së shkallëzuar tregtare të administratës Trump me Kinën dhe aleatët kryesorë të Amerikës.
"Presidenti ka arritur në përfundimin se kemi nevojë për më shumë se thjesht negociata. Ka pasur disa vite bisedime me Kinën rreth pronës intelektuale. Presidenti mendon, dhe unë pajtohem me të, se tani është koha për veprim", tha zoti Ross.
Por kjo politikë tregtare po kundërshtohet ashpër nga ligjvënësit, të cilët thonë se tarifat e propozuara do të dëmtojnë punëtorët amerikanë.
"Ne po favorizojmë disa sektorë të ekonomisë dhe po ndëshkojmë disa të tjerë.Sipas mendimit tim, rrezikojmë të humbasim më shumë vende pune sesa do të fitonim", tha senatori Pat Toomey.
Më parë këtë muaj, administrata Trump njoftoi tarifat e reja për importet e çelikut dhe aluminit. Zyrtarët e administratës kanë thënë se vendimi erdhi si pasojë e shqetësimeve për sigurinë kombëtare - një argument që u kritikua ashpër nga ligjvënësit në Kongres.
"Këto tarifa nuk mbështesin sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Në fakt ato dëmtojnë prodhuesit amerikanë, dëmtojnë ekonominë tonë, dëmtojnë konsumatorët amerikanë dhe prishin marrëdhënien tonë me aleatët tanë afatgjatë”, tha senatori Orrin Hatch.
Në seancën e së mërkurës, Sekretari Ross pranoi se çmimet e çelikut brenda vendit janë rritur- por tha se kjo ka ardhur si pasojë e spekulimeve, dhe jo e tarifave.
“Ka patur shumë aktivitete spekulative – shtimi i inventarit, ruajtja e produkteve nga tregu nga disa palë ndërmjetësuese. Pra çmimi i çelikut dhe për një farë kohe edhe çmimi i aluminit u rrit më shumë sesa mund të justifikohet nga tarifat.”
Senatorët republikanë Pat Toomey dhe Bob Corker kanë premtuar t’i japin shtytje një legjislacioni që do të kërkonte miratimin e Kongresit për tarifat e përmendura për arsye të sigurisë kombëtare
Facebook Forum