Lidhje

Ross, mbron lidhjet e biznesit të tij me rrethin e ngushtë të Putinit


Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, mbrojti të hënën lidhjet e biznesit të tij me rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, duke thënë se "asgjë nuk është bërë kundër rregullave".

Sipas dokumenteve të sapo publikuara dhe zyrës së etikës në qeverinë amerikane, Wilbur Ross, një miliarder 79-vjeçar, ka 31 për qind të aksioneve, me vlerë prej 2 deri në 10 milionë dollarësh, në kompaninë e transportit detar Navigator Holdings, që ka lidhje me dhëndrrin e Presidentit rus Putin dhe me një oligark, ndaj të cilit janë vënë sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe që është partner i Putinit në xhudo.

Ross, anëtar i kabinetit të Presidentit Donald Trump, tha në periferi të një konference biznesi në Londër: "Mendoj se media ka bërë shumë më tepër bujë se ç’meriton kjo çështje."

Kompania Navigator Holdings fiton miliona dollarë në vit duke transportuar gaz natyror për gjigantin rus të energjisë Sibur, që është pjesërisht në pronësi të Kirill Shamalov-it, burrit të vajzës së Presidentit Putin, Katerina Tikhonova, dhe Gennady Timchenko-s, oligarkut i cili është partner i Putinit në xhudo, thuhet në dokumentet e publikuara. Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj Timchenkos për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjes së tij të mëvonshme për separatistët pro-rusë që luftonin kundër forcave qeveritare të Kievit në Ukrainën lindore.

Por në dy intervista që dha sot, për kanalet BBC dhe Bloomberg, Sekretari Ross hodhi poshtë shqetësimet rreth përfshirjes së tij në këtë investim. Ai tha se marrëveshja me Sibur-in ishte arritur para se ai t’i bashkohej bordit të firmës Navigator.

"Nuk ka lidhje mes bordeve dhe aksionerëve të kompanive, nuk kam qenë fare i përfshirë në negocimin e marrëveshjes," tha ai. "Por më e rëndësishmja është se ndaj klientit të kompanisë sonë, Siburit nuk janë vënë kurrë sanksione. Nuk ka asgjë të papërshtatshme".

Sekretari Ross i tha kanalit Bloomberg se "ne nuk kemi lidhje biznesi me ata individë rusë ndaj të cilëve janë vënë sanksione." Ross tha se ai i ka shitur aksionet e tij në firmën Navigator, "por jo për këtë arsye."

Kur iu bashkua kabinetit të Presidentit Trump këtë vit, Ross shiti prona të shumta për të shmangur konfliktet e interesit, pasi detyra e tij është të nxisë tregtinë amerikane në botë. Por Wilbur Ross i mbajti aksionet e tij në firmën Navigator, përmes një sërë kompanish të regjistruara në Ishujt Kajman, një parajsë fiskale, ku ai mban pjesën më të madhe të pasurisë së tij prej 2 miliardë dollarësh.

Ross nuk i tregoi lidhjet me biznesin rus kur u konfirmua nga senati amerikan në postin e Sekretarit të Tregtisë, por ato u shfaqën në më shumë se 13 milionë dokumente të zbuluara nga Appleby, një firmë ligjore në Bermuda që këshillon elitën e pasur në botë mbi mënyrën se si mund të shmanget pagimi i miliarda dollarëve taksa në transaksionet financiare. Appleby thotë se ka hetuar të gjitha akuzat dhe ka gjetur se "nuk ka prova për ndonjë shkelje nga ana e kompanisë apo e klientëve tanë".

Grumbulli i dokumenteve, të quajtura Paradise Papers, u zbulua së pari nga gazeta gjermane, Süddeutsche Zeitung, dhe pastaj u nda me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë dhe dhjetra media të tjera në botë, përfshirë gazetën The Guardian në Britani, New York Times dhe NBC News në Shtetet e Bashkuara, të cilat raportuan mbi investimin e Sekretarit Ross të dielën.

Zbulimi i interesave financiare të Sekretarit Ross në Rusi vjen ndorkohë që prokurori special, Robert Mueller dhe tre komisione të kongresit po hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, një përpjekje për të cilën komuniteti amerikan i inteligjencës ka nxjerrë konkluzionin se është udhëhequr nga Putini, në një përpjekje për të minuar demokracinë amerikane dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet.

Disa bashkëpunëtorë të fushatës së zotit Trump janë nën hetime, por deri në zbulimin e dokumenteve rreth pronave të Sekretarit Ross, nuk ka patur njoftime për lidhje biznesi mes zyrtarëve të lartë të Administratës së Presidentit Trump dhe ndonjë anëtari të familjes së Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë.

Zbulimi i dokumenteve mund të ushtrojë presion mbi udhëheqësit botërorë, duke përfshirë Presidentin Trump dhe Kryeministren britanike Theresa May, të cilët janë zotuar të frenojnë skemat agresive të evazionit fiskal.

"Kongresi ka fuqinë të godasë përpjekjet për shmangien e pagimit të taksave përmes investimit në kompanitë jashtë vendit", thotë Mateu Gardner i Institutit për Taksat dhe Politikën Ekonomike. "Në kodin tonë federal të taksave ekzistojnë mangësi të mëdha, që në thelb i nxisin kompanitë të manipulojnë shifrat dhe t’i bëjnë të ardhurat e fituara në Shtetet e Bashkuara të duken sikur janë fituar jashtë vendit. Ligji i taksave i Dhomës së Përfaqësuesve i paraqitur në fund të javës së kaluar nuk bën asgjë për të eliminuar këto mangësi."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG