Lidhje

Diplomati më i lartë amerikan në Ukrainë dëshmon në Kongres


Një diplomat amerikan me përvojë po dëshmon të martën para ligjvënësve në hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve për procesin e shkarkimit të presidentit, lidhur me akuzat se Presidenti Donald Trump bllokoi ndihmën për Ukrainën, duke e kushtëzuar me një hetim nga ana e Kievit për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij. Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një interviste për televizionin Fox News mbrojti telefonatë me presidentin ukrainas që solli si rezultat thirrjet për procesin e shkarkimit të tij.

William Taylor, zyrtari më i lartë në ambasadën amerikane në Ukrainë, do të dëshmojë me dyer të mbyllura. Taylor është shprehur se ishte “çmenduri të ndalej ndihma e sigurisë në këmbim të ndihmës me një fushatë politike”. Sipas njoftimeve ai do të japë një tablo kronologjike tëzhvillimeve lidhur me Ukrainën.

Zoti Trump tha në intervistë se demokratët duan që ai të shkarkohet, sepse anketat e reja tregojnë se ka gjasa që ai të rizgjidhet.

"Për mua, shprehja proces shkarkimi është e pistë, e neveritshme. Nuk kam bërë asgjë që ta meritoj. E vetmja arsye që ata po e bëjnë një gjë të tillë është se i shikojnë sondazhet dhe një kombinim të tyre, dhe ndër tre skenare të mundshme, unë fitoj lehtësisht”, tha ai.

Kur u pyet për votimin e djeshëm në Dhomën e Përfaqësuesve ku demokratët bllokuan një përpjekje të republikanëve për të censuruar kongresmenin Adam Schiff, një nga drejtuesit e hetimit për procesin e shkarkimit, presidenti Trump përsëriti një koment që kishte bërë më herët në një takim kabineti se ai mendon se republikanët duhet të bëhen më të ashpër.

Presidenti Trump po shkakton me mesazhet e tij në Twitter lidhur me hetimin, edhe debate të një natyre tjetër me tone racore, pasi e krahasoi ate të martën me një “linçim”.

“Të gjithë republikanët duhet të kujtojnë se çfarë po ndodh, një linçim. Por ne do të fitojmë”, shkruante zoti Trump në Twitter. Komenti i tij ngjalli menjëherë kritika të ashpra nga ligjvënësit demokratë dhe të paktën një republikan.

Linçimet ose varjet, janë përdorur historikisht në të kaluarën kryesisht nga të bardhët kundër meshkujve afrikano-amerikanë në Jug, nga fundi i shekullit të 19-të mes tensioneve racore.

Afrikano-amerikani më me peshë në Kongres, demokrati Jim Clyburn e paralajmëroi zotin Trump.

"Është një fjalë që asnjë president nuk duhet ta përdorë”, tha ai. That is one word no president ought to apply to himself," tha zoti Clyburn. Deri tani, reagimet e republikanëve kanë qenë të përziera për përdorimin e këtij termi.

Zv.Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, e cila ka mbuluar politikat për Rusinë dhe Ukrainën në Pentagon, pritet të dëshmojë të mërkurën.

Hetimi i udhëhequr nga demokratët filloi kur një informator nga radhët e shërbimeve të zbulimit i shprehu shqetësimin inspektorit të përgjithshëm për telefonatën e 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ku duket se i bën thirrje zotit Zelenskiy për të hapur një hetim ndaj ish-nënpresidentit, i cili po konkuron tashmë për të marrë emërimin e demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Presidenti Trump ka aluduar se ishte zoti Biden që kërcënoi të tërhiqte garancitë për borxhin ukrainas, në rast se nuk ndalej një hetim i filluar ndaj kompanisë së gazit që kishte punësuar djalin e tij Hunter.

Nuk ka dalë asnjë evidencë shkeljesh nga Joe Biden apo Hunter Biden. Por, ti kërkosh një qeverie të huaj të rrëmojë për një rival politik, konsiderohet ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale dhe është një shkelje ligjore që mund të sjellë shkarkimin e presidentit.

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk pati "quid pro quo" gjatë telefonatës së tij me Presidentin Zelenskiy, duke shtuar se biseda ishte "perfekte" dhe duke akuzuar demokratët për gjueti shtrigash.

Por, ky qëndrim u rrëzua javën e kaluar nga Mick Mulvaney, shefi i personelit i Presidentit Trump. Zoti Mulvaney pranoi para gazetarëve se Presidenti Trump ngriu 400 milionë dollarë ndihma për Kievin për shkak të shqetësimeve të presidentit për korrupsionin në Ukrainë dhe dyshimeve se ky vend ishte përfshirë në ndërhyrjen kompjuterike ruse tek email-et e Komitetit Kombëtar Demokrat në vitin 2016.

Zoti Mulvaney tha në mënyrë sfiduese se do të ketë gjithnjë influencë të politikës tek politika e jashtme dhe se njerëzit duhet "të mësohen me këtë". Më vonë, ai qarkulloi një deklaratë ku përpiqej të qartësonte komentet e tij.

Pasi Presidenti Trump u bëri thirrje të hënën ligjvënësve republikanë që "të ashpërsohen dhe të luftojnë" hetimin, ata duket se reaguan duke propozuar një rezolutë që vendoste kufizime ndaj Ligjvënësit demokrat Adam Schiff, i cili drejton hetimin në cilësinë e kreut të Komisionit të Zbulimit. Rezoluta u hodh poshtë me 218 vota kundër dhe 185 pro.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG