Lidhje

Presidenti Trump shpreh besimin tek drejtori i FBI-së, Christopher Wray


Presidenti i SHBA Donald Trump mohoi njoftimet e medias, sipas të cilave drejtori i FBI-së Christopher Wray ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen për shkak të presionit të Shtëpisë së Bardhë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions që ai të shkarkojë ndihmësin e tij kryesor.

"Jo, aspak," tha presidenti kur u pyet rreth kësaj çështjeje gjatë një takimi në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. "Ai do të bëjë një punë të mirë," shtoi Presidenti, duke iu referuar kreut të FBI-së.

Shtëpia e Bardhë shprehu besimin tek Drejtori i FBI-së Christopher Wray, pas njoftimeve se ai ishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen, në vend që të dorëzohej ndaj presionit jo të drejtpërdrejtë nga Presidenti Donald Trump për shkarkimin e zëvendësit të tij kryesor, Andrew McCabe.

“Presidenti ka besim të plotë tek drejtori Wray. Ai pati një arsye që e emëroi dhe e konsideron atë të aftë për të drejtuar agjencinë. Ai mendon se Drejtori i FBI-së bën një punë të shkëlqyer dhe është i kënaqur me të,”- i tha Zërit të Amerikës Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Faqja e lajmeve në internet “Axios” fillimisht njoftoi se Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, me kërkesën e zotit Trump, po ushtronte presion ndaj zotit Wray, që ta hiqte zotin McCabe dhe anëtarë të tjerë të ekipit të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, për shkak të akuzave se zyrtarë të lartë të agjencisë kishin shprehur kahje politike në punën e tyre profesionale. Portali "Axios", duke theksuar se shkarkimi do të krijonte reagim të madh në media, njoftoi se Shtëpia e Bardhë u zbraps, pasi zoti Wray ju kundërvu presionit.

Presidenti Trump, në disa raste, ka shkruar Twiter, ku shprehte pakënaqësinë e tij ndaj zotit McCabe, duke thënë se bashkëshortja e tij kishte marrë kontribute për fushatën, me vlerën e 700 mijë dollarëve, nga ata që ai i përshkruan si "kukulla të Klintonëve". Bashkëshortja e zotit McCabe pati kandiduar për postin e ligjvënëses demokrate në shtetin e Virxhinias. Trump pati shkruar gjithashtu, se me mirëkuptimin e tij, zoti McCabe kualifikohet me ligj për të dalë në pension në muajin mars, me përfitime të plota.

Andrew McCabe
Andrew McCabe




Të martën, zëdhënësja Sanders nuk pranoi të komentonte për zotin McCabe, por u mjaftua të thonte se ai pritet së shpejti të largohet nga agjencia dhe se është në procesin e daljes në pension.

Po të martën, zoti Trump e vazhdoi presionin në Twitter ndaj Agjencisë së zbatimit të ligjit, duke thënë se zytarët e FBI-së kanë pranuar se nuk janë në gjendje të gjejnë mijëra mesazhe me tekst në komunikimet mes dy zyrtarëve të lartë të akuzar për paragjykime anti-Trump në punën e tyre gjatë hetimeve ku përfshihet Presidenti.


Twiti më i fundit i zotit Trump vjen disa ditë pasi Senatori Ron Johnson i Uiskonsinit, Kryetar i Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare, i dërgoi një letër zotit Wray, ku i kërkonte atij të shpjegonte përse nuk ishin ruajtur dot mesazhet e shkëmbyera mes zyrtarit më të lartë të anti-terrorizmit Peter Strzok dhe avokates së agjencisë, Lisa Page.

Strzok, i cili ishte gjithashtu hetuesi kryesor në ekipin e FBI-së që hetoi lidhur me serverin e emaileve të zonjës Hillary Clinton, u hoq disa muaj më parë nga ekipi që po shqyrton lidhje të mundshme mes zotit Trump dhe Rusisë. Shkarkimi i tij erdhi pasi u zbulua se ai dhe zonja Page, të cilët kishin patur lidhje romantike, e kishin nënçmuar zotin Trump në mesazhet që kishin këmbyer gjatë fushatës presidenciale. Periudha kur mungojnë mesazhet janë 5 muajt menjëherë pas zgjedhjeve, deri në maj të vitit 2017.

Zonja Page u largua nga ekipi i hetimeve i kryesuar nga këshilltari special Robert Mueller, para se të zbuloheshin mesazhet.

Në një intervistë që dha muajin e kaluar për gazetën "The Wall Street Journal", zoti Trump tha se zoti Strzok ishte sjellë si "tradhëtar".

Ndërsa republikanët në Kongres i shtuan përpjekjet për të mësuar më tepër lidhur me akuzat për kahje politike në radhët e punonjësve të FBI-së, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions të hënën u zotua se do t'i shkonte deri në fund çështjes së mesazheve të zhdukura.

FILE - Sen. Jeff Session speaks on Capitol Hill in Washington, Jan. 28, 2015.
FILE - Sen. Jeff Session speaks on Capitol Hill in Washington, Jan. 28, 2015.


“Nuk do të lemë gur pa lëvizur, për t'u siguruar që këto mesazhe vërtet nuk mund të gjenden dhe do të shfrytëzojnë çdo teknologji të mundshme për të përcaktuar në se mesazhet e humbura mund të zbulohen përmes një burimi tjetër. Në se do të jemi të suksesshëm, do t'i njoftojmë menjëherë komisionet e Kongresit," - tha zoti Sessions.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sandra Sanders, javën e kaluar shprehu besimin se zoti Wray do të merrte masa për të hequr, siç u shpreh ajo, "zyrtarë të lartë problematikë" nga FBI-ja, për të cilët ajo tha se kishin patur influenca partiake tek hetimi për Rusinë i zotit Mueller.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG