Lidhje

Studim: Diskriminimi i grave në Shqipëri


Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim Ndërkombëtar USAID po i ndihmon gratë shqiptare, që të shmangin diskriminimin dhe stereotipet negative në mediat vendase. Ajo mbështeti nismën “Zëri i Gruas në Media” të Rrjetit të Grave për Barazi në Vendim-Marrje. Kjo qendër sapo ka përfunduar një studim, sipas të cilit, gratë janë të diskriminuara gjerësisht në shoqëri, në familje, si edhe nga mediat e shkruara dhe ato elektronike.

USAID dhe gratë
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

​Rrjeti i grave për barazi në vendim-marrje sapo ka publikuar një raport mbi zërin e gruas në media, ku paraqitet një pamje shqetësuese për diskriminimin e tyre.

Rreth 70 për qind e numrit të përgjithshëm të gazetarëve në mediat shqiptare janë gra, rreth 60 për qind e tyre janë drejtuese programesh televizive, e megjithatë temat mbi jetën e tyre janë të pakta.

Drejtuesja e Rrjetit të grave për barazi në vendim-marrje, Edlira Çepani, thotë që në ato pak raste që shfaqen në media, gratë dalin të nënpërfaqësuara, pa autoritet, pa pushtet, në një kontekst familjar, e ndërvarur me të tjerë dhe në një punë me status të ulët, ndërsa burrat shfaqen të mbipërfaqësuar, profesionistë me punë të mirë, me autoritet dhe pushtet individual.

Nisma “Zëri i Gruas në Media”, e mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID, synon të shfaqë në publik ndihmesën e grave në jetën publike dhe portretizimin e balancuar gjinor të tyre.

Media shqiptare vazhdon të shtrembërojë rolin e gruas në shoqëri, duke mos dhënë një raportim të barabartë për çështjet e saj, duke mos dhënë pikëpamjet e gruas në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, është një tjetër përfundim i studimit.

“Qëllimi i kësaj nisme është të mbështesim më shumë gra përmes mediave për të rritur praninë e grave në politikë dhe për të nxitur debatin publik rreth politikave mbi çështjet e tyre” - thotë menaxherja e projektit, Rakel Hernandes Penja. Për këtë i është kërkuar edhe medias të japë një ndihmë në përpjekjet për barazi gjinore.

Studimi vëren se edhe në media, ashtu si në jetën e përditshme, burrat dhe gratë shqiptare shfaqen si në rolet e tyre tradicionale; burrat si drejtues dhe vendim-marrës, ndërsa gratë si konsumatore dhe viktima. Duke ecur në këtë mënyrë për shumë vite, gruaja shqiptare është penguar për të marrë pjesë në zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike, thotë zonja Çepani.

Në Shqipëri gratë përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë, por ende diskriminimi me bazë gjinore është i përhapur.

Gratë përballen me mungesa të mëdha ekonomike dhe sociale, që i përjashtojnë nga të drejtat e tyre njerëzore më të thjeshta.

Media është një nga mjetet kryesore që formon qëndrimet publike, stereotipet gjinore dhe mendësitë mbi gjendjen e gruas.

Media shqiptare e ka në dorë për të krijuar një stereotip gjinor të shtrembëruar, por me pak kujdes mund t'i trajtojë gratë me dinjitet dhe të barabarta në shoqëri nga temat më të thjeshta deri te ato më madhoret.

XS
SM
MD
LG