Lidhje

Zonë e re industriale mes Tiranës e Durrësit


Dikur ka qenë kooperativë për bujqësi dhe blegtori, por vitet e fundit aty është vendosur më shumë industria e shumëllojshme

Nga një zonë dikur tërësisht bujqësore, komuna e Xhafzotaj është shndërruar vetvetiu në një zonë plotësisht industriale. Aty janë vendosur kompani shqiptare, italiane dhe gjemane për prodhim këpucësh, veshjesh dhe vezësh, kompani transporti, si edhe firma në përpunimin e kromit, e hekurit, përpunimin e drurit, të cilat shumicën e punëtorëve i ka nga zona përreth.

Komuna është rrethuar nga autostrada dhe rrugë që kryqëzohen nga të gjithë drejtimet e vendit, ndërsa aty pranë është edhe ujëmbledhësi i famshëm i Fushëkuqes. Kjo infrastrukturë bën që të ndërtohen vazhdimisht biznese të reja.

Në këtë zonë nuk mungojnë kurrë energjia elektrike, uji i pijshëm dhe ekziston një sistem rrugor modern. Zona industriale në Xhafzotaj është krijuar me nismën e vetë bizneseve, por ato kanë gjetur mbështetjen dhe lehtësira maksimale nga komuna e Xhafzotaj, me sheshe dhe leje ndërtimi.



Agim Hoxha, kryetar i komunës, thotë se në zyrat e tij janë mbledhur disa dhjetëra kërkesa të reja për të hapur biznese në territorin e komunës. Ai ka rënë dakord me firmat investuese që në këmbim të lehtësirave administrative për të hapur një biznes, punonjësit ato t’i marrin nga banorët e zonës.

Komuna e Xhafzotaj ka një sipërfaqe 2mijë 400 hektarësh prej 18 mijë banorë në 8 fshatra. Dikur ka qenë kooperativë tipike e stilit komunist për bujqësi dhe blegtori, por vitet e fundit aty është vendosur më shumë industria e shumëllojshme. Me taksat që paguajnë bizneset, ndërtohen rrugët, pastrimi dhe në tërësi jeta e komunës.
XS
SM
MD
LG