Lidhje

Kryetari i Gjykatës së Lartë hedh poshtë lajmet për korrupsion


Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, përgënjeshtroi sot si të pavërteta njoftimet e shtypit vendas se ai mund të ketë përfituar rryshfete për të manipuluar vendimin e një procesi gjyqësor, duke theksuar se personat e regjistruar me video nga programi Fiks Fare i televizionit Top Channel kanë thënë aty mashtrime të rëndomta. Zoti Zaganjori tha se si kryetar gjykate ai nuk planifikon gjyqe, nuk merr pjesë në gjyqe penale, ata persona nuk i njeh dhe kërkesa për cështjen në fjalë nuk është pranuar.













Zoti Zaganjori e vlerësoi median si bashkëpunëtore në luftën lkundër korrpsionit. Ai i ka kërkuar prokurorisë që ta hetojë çështjen dhe në fakt hetimet për këtë rast po i kryen grupi i posaçëm (task forca) e prokurorisë në Tiranë, siç bënë të ditur përfaqësues të saj. Zoti Zaganjori tha se në luftën kundër korrupsionit çdo institucion duhet të kryejë detyrën e vet dhe të mos priten denoncimet vetëm nga media. Ai tha se sistemi gjyqësor ka nevojë për më shumë transparencë, për reflektim dhe ndryshime ligjore.

Transmetimi i programit Fiks Fare nxiti edhe një herë debatet mbi korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe nevojën për reformimin e tij. Ministri i drejtësisë, Nasip Naço, tha sot para komisionit të integrimit se lufta ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit është pasaporta e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, dhe në raportin e progresit përmendet edhe drejtësia. Ai tha që qeveria ka kërkuar ndihmë nga Komisioni i Venecias për të reformuar Gjykatën e Lartë, e cila ka dhënë pak vendime unifikuese, por shqyrton një numër çështjesh, si të jetë një gjykatë e zakonshme e shkallës së parë. Zoti Naço tha se nevoja për reformim është e madhe edhe në Këshillit të Lartë në Drejtësi, i cili ka mbajtur për shumë vite pa emëruar shumë drejtues gjykatash.

Televizioni Top Channel dhe programi Fiks Fare transmetuan disa ditë më parë video ku një radhë ndërmjetësish në Pukë dhe Fushë Arrëz kërkonin rryshfete në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të liruar persona të ndryshëm nga akuzat gjyqësore. Prokuroria e përgjithshme pezulloi drejtuesin e prokurorisë Pukë dhe nisi hetimet, ndërsa ministria e drejtësisë shkarkoi sekretaren dhe kancelaren e gjykatës së atij qyteti.

XS
SM
MD
LG