Ylli i golfit, Tiger Woods, ka pësuar plagë të rënda pas një aksidenti me makinë me makinë të martën në Kaliforni. Në një deklaratë të postuar në llogarinë e zotit Woods në Twitter njoftohet se ai pati një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale në këmbën e djathtë dhe kyçin e këmbës tjetër ndërsa shtohet se ai është i vetëdijshëm dhe po e merr veten në spital.
Ylli amerikan i golfit, Tiger Woods, iu nënshtrua një operacioni pas lëndimeve në të dyja këmbët gjatë një aksidenti me makinë në Kaliforni të martën.
Makina u rrokullis dhe doli nga rruga afër qytetit Ranchos Palos Vertes të Kalifornisë, që ndodhet rreth 32 kilometra në jug të Los Anxhelosit.
Zyrtarët thanë se zoti Woods u nxorr jashtë makinës duke përdorur mjete metalprerëse.
Pamje nga vendi i aksidentit tregojnë dëme të mëdha në pjesën ballore të makinës që qëndronte e përmbysur në maje të një kodre. Copëza tjera të makinës u panë të shpërndara në rrugë.
“Distanca nga vendi ku humbi drejtimin e deri në pikën ku makina ndaloi është e madhe. Kjo tregon se shpejtësia e makinës ishte shumë herë më e lartë sesa normalja. Sidoqoftë, kjo rrugë e tatëpjetë me shpate dhe lakore është e njohur për aksidente. Nuk është e pazakontë”, tha Alex Villanueva, sherif i qarkut të Los Anxhelosit.
Tiger Woods, 45 vjeçar, ndodhej në Los Anxhelos për një turne golfi që organizohet nga fondacioni i tij.
Fituesi i 15 kampionateve të mëdha golfi nuk mori pjesë në këtë garë sepse po kurohej nga një ndërhyrje në shpinë më 23 dhjetor, ndërhyrja e pestë e tij.
Njërit nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve në golf, për herë të fundit luajti më 20 dhjetor në kampionatin PNC me djalin e tij, Charlie.
Më 2019, Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump e nderoi zotin Woods me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil në vend, pasi ylli i golfit fitoi kampionatin e 15-të.
Facebook Forum