Lidhje

Në Shqipëri kreu i shërbimeve sekrete të ushtrisë jep dorëheqjen


Ylli Zyla
Ylli Zyla
Në Shqipëri kreu i shërbimeve sekrete të ushtrisë Ylli Zyla, dha mbrëmë dorëheqjen pas publikimit në media të fakteve se bashkëshortja e tij ishte aksionere në një kompani me dy ortakë të cilët ndërkohë kishin edhe aktivitet të tregtisë së armëve.

Për disa ditë rresht e përditshmja “Shqiptarja.com” publikoi të dhënat mbi lidhjet e biznesit të bashkëshortes së zotit Zyla me tregtarët e armëve, një prej të cilëve shtetas polak, të cilët kanë siguruar nga ministria shqiptare e mbrojtjes të paktën një kontratë blerje municionesh gjate vitit 2012, të cilat sipas të dhënave të bëra të ditura nga gazeta “Shqiptarja.com” kanë përfunduar në Nigeri.

Në tekstin e tij të dorëheqjes kreu i shërbimeve sekrete të ushtrisë, pasi i konsideron faktet e publikuara si “të pamoralshme dhe të pabazuara” deklaron se lë detyrën “për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes, integritetin e institucionit të Shërbimit Informativ të ushtrisë (SHIU), si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjik të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t”.

Ndërkaq komisioni i sigurisë në parlament, pas kërkesës së përfaqësuesve socialistë ka miratuar nisjen e kontrolleve në ministrinë e Mbrojtjes lidhur me tregtinë e armëve dhe municioneve por edhe mbi vendime të tjera të këtij institucioni.
XS
SM
MD
LG