Festat më të mëdha e fundvitit po afrohet dhe zbukurimet për Krishtlindje ofrojnë një sfond mahnitës për të këtë kohë. Qytetet, ndërtesat publike dhe shumica e shtëpive private janë zbukuruar me pemë të Krishtlindjes, drita, Santa dhe figura të tjera. Disa tani janë duke u përgatitur edhe për Vitin e Ri.
Prej javësh pemët tradicionale të Krishtlindjes janë mbuluar nga dritat në komunitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe tani janë shtuar edhe menorat për festën hebraike Hanukkah. Dritat e festave ndriçojnë parqet dhe shtëpitë. Për disa amerikanë, sezoni i pushimeve është koha për të treguar anën e tyre artistike me zbukurimet. Një burrë nga Nju Albani, Indiana, ka shpenzuar 3,500 dollarë për të zbukuruar oborrin e tij, me pamjen e të cilit kënaqet gjithë komuniteti pranë.
“Është kënaqësia e jetës sime. Më mirë të bëj diçka për të tjerët se sa për veten. Ky jam unë” thotë Michael.
Fqinjët shpesh konkurrojnë me njëri-tjetrin. Një shtëpi në Nju Jork është zbukuruar me 215 mijë drita dhe e rrethuar nga dhjetra drerë, qirinj, pemë dhe babagjyshë Krishtlindjeje dhe figura të tjera. Por një familje në San Antonio të Teksasit ka zgjedhur dritat dhe muzikën nga filmat Star Wars.
Në shtëpitë private, zbukurimet tradicionale konkurojnë me të rejat. Një grua nga Kolorado e zbukuron shtëpinë e saj me më shumë se një mijë Santa ndërsa shumë familje duan diçka të re dhe ndryshe.
“Bronzi dhe argjendi. Dominojnë disa krijime bashkëkohore këtij viti” thotë Alexis Behan.
Shkollat, bizneset dhe organizatat e përdorin mundësinë për të sjellë ndërgjegjësim për çështjet që ata mbështesin. Një aktivitet për Krishtlindje në San Jose Kaliforni, mban disa pemë me mesazhe fetare, si dhe sociale e politike, të cilat disa njerëz i konsiderojnë të papërshtatshme.
“Për Krishtlindje festohet lindja e Krishtit dhe ajo që ai bëri për ne” thotë një vizitore e parkut.
Por organizatorët thonë se çdo shfaqje është e pranueshme me kusht që të mos jetë diskriminuese ose vulgare.
“Nuk është detyra jonë të gjykojmë, është të pranojmë. Dhe ka shumë fe të ndryshme, dhe shumë organizata të ndryshme që marrin pjesë” thotë një anëtar i bordit të aktivitetit “Christmas in the Park”.
Edhe pse ka akoma kohë për përgatitjet për Krishtlindje, qyteti i Nju Jorkut është duke u përgatitur për festën spektakolare të Vitit të Ri. Dy numra të mëdhenj që do të përbëjnë “2018” mbërritën në qytet të mërkurën dhe 200 llambat e tyre u testuan për t’u siguruar se do të punojnë gjatë numërimit të ndërrimit të viteve në mesnatë.
Facebook Forum