Lidhje

Zbulimi i SHBA: Virusi nuk është krijuar në një laborator kinez


Agjencitë amerikane të inteligjencës po hedhin poshtë të paktën një teori në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke thënë se provat tregojnë se virusi nuk është krijuar në një laborator kinez.

Por zyrtarët thonë se ata ende po shqyrtojnë nëse shpërthimi, i cili filloi në Kinë, u shkaktua nga kontakti njerëzor me kafshët apo nëse u përhap si rezultat i ndonjë aksidenti shkencor.

Komuniteti amerikan i inteligjencës "pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor që virusi COVID-19 nuk është prodhuar nga njeriu dhe as është diçka e modifikuar gjenetikisht," tha të enjten zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në një deklaratë publike, diçka e rrallë kjo kur është fjala për një çështje që vazhdon të hetohet.

"Siç bëjmë në të gjitha krizat, ekspertët e komunitetit të inteligjencës veprojnë duke rritur ndjeshëm burimet dhe duke nxjerrë të dhëna me rëndësi kritike mbi çështje jetike për sigurinë kombëtare të SHBA," thuhet në deklaratë.

"Komuniteti i inteligjencës do të vazhdojë të shqyrtojë me rreptësi informacionin dhe të dhënat në zhvillim për të përcaktuar nëse shpërthimi filloi përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo nëse ishte rezultat i një aksidenti në një laborator të Wuhanit," thuhet aty.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një hetim më të plotë mbi origjinën e COVID-19. Presidenti Donald Trump ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi deklaratat e bëra nga Kina dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Të mërkurën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai kishte parë disa prej gjetjeve në hetimin e bërë nga komuniteti i inteligjencës.

"Hetimi është duke ardhur dhe mua po më sjellin pjesë të tij. Ne nuk jemi aspak të kënaqur… Jemi deri tani kontribuesi më i madh i OBSH-së, i shëndetit botëror dhe ata nuk na treguan të vërtetën,” tha ai.

"Tani për tani, ata me plot gojën një zëdhënës i Kinës. Kështu e shoh unë," shtoi zoti Trump.

Edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo vuri në dyshim transparencën e Kinës, dhe la të kuptohet se Pekini mund të jetë duke vazhduar ta vërë botën në rrezik.

"Ne nuk e dimë saktësisht se nga lindi ky virus. Ka shumë laboratorë që po vazhdojnë të kryejnë punë," tha ai. "Ne nuk e dimë nëse ata po veprojnë në nivelet e duhura të sigurisë për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri."

Thëniet se virusi COVID-19 është krijuar në një laborator kinez, ose ka shpëtuar nga një laborator, vazhdojnë prej javësh. Po ashtu edhe teoritë e tjera, shumë prej të cilave janë diskredituar si thashetheme ose si pjesë e fushatave dezinformuese.

Por deklarata e së enjtes nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tregon me sa duket se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë arritur ta kuptojnë më mirë origjinën e pandemisë.

Dy javë më parë, një zyrtar amerikan i inteligjencës i tha Zërit të Amerikës se agjencitë ishin "duke ndjekur në mënyrë aktive dhe të fuqishme çdo informacion", por komuniteti i inteligjencës "nuk kishte arritur në një mendim të vetëm për ndonjë teori të caktuar."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG