Lidhje

Çfarë do të sjellin zgjedhjet në Greqi?


Zgjedhjet parlamentare të Greqisë të dielën janë bërë efektivisht një referendum - a do të qëndrojë Athina në eurozonë apo do të bëhet i pari vend që largohet nga blloku i 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët?

Kjo është një pyetje e thjeshtë, por potencialisht me pasoja të gjera përtej Greqisë, në pjesë të tjera të Evropës dhe në ekonominë botërore.Qeveria greke ka grumbulluar një mal me borxhe gjatë viteve, por fqinjët e saj evropianë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ndihmuar dy herë vendin, duke i dhënë miliarda dollarë në dy vitet e fundit. Kreditorët e huaj kanë eliminuar më tepër se gjysmën e borxhit që Greqia iu detyrohet.

Por, shumë grekë janë të zemëruar me kushtet e paketave të shpëtimit – me masat shtrënguese të vendosur nga qeveria, me shkurtimet e pagave dhe pensioneve, si dhe eliminimin e mijëra vendeve të punës në qeveri. Në anën tjetër, fqinjët evropianë të Greqisë thonë se do të ndërpresin rrjedhjen e fondeve të shpëtimit nëse qeveria e re heq dorë nga angazhimi i marrë për masa shtrënguese.

Partitë politike të fraksionuara të Greqisë nuk ishin në gjendje të krijonin një qeveri të re koalicioni pas zgjedhjeve parlamentare muajin e kaluar, duke bërë të nevojshëm një votim të ri.

Një nga kandidatët kryesor për drejtimin e qeverisë së re është Alexis Tsipras, kreu i partisë radikale të majtë Syriza e cila po bën thirrje për anulimin e kushteve të paketës së ndihmës. Anketat tregojnë se zoti Tsipras është shumë pranë udhëheqësit konservator Antonis Samaras, i cili përkrahu masat shtrënguese së bashku me kreun e partisë socialiste Evangelos Venizelos.

Një rezultat i ngushtë mund të krijonte një ngërc përsëri dhe mund të vinte në pikëpyetje anëtarësinë e Greqisë në eurozonë. Ndërsa ekonomia e Greqisë përbën vetëm rreth dy përqind të ekonomisë së eurozonës, disa anlistë mendojnë se një falimentim ndaj detyrimeve financiare dhe dalja nga eurozona mund të cojë lehtësisht në tronditje të tregjeve financiare botërore dhe një kthesë të fortë në ekonominë amerikane dhe atë botërore.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare e Greqisë tha kohët e fundit se një dalje nga eurozona “do të conte në një rënie të madhe të standarteve të jetesës për qytetarët grekë." Banka tha se grekët do të humbasin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre dhe vlera e dhremisë së rivendosur në treg do të binte me 65 përqind. Niveli i lartë i papunësisë do të shkonte në 34 përqind dhe inflacioni në 30 përqind.

Megjithë parashikimet e tmerrshme, drejtuesi i Syrizës Tsipras thotë se kushtet e ndihmës janë edhe më të rënda për grekët. Ai deklaroi këtë javë se marrëveshja e shpëtimit “është tanimë e shkuar dhe “do të jetë histori të hënën”.
XS
SM
MD
LG