Lidhje

SHBA, kuvendet entuziazmojnë dy partitë politike


Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë rritur besimin pas emërimit zyrtar të presidentit Barak Obama për një mandat të dytë katërvjeçar në kuvendin e tyre kombëtare në Sharlot të Karolinsë së Veriut. Republikanët gjithashtu kanë fituar më shumë energji pas kuvendit të tyre javën e kaluar në Tampa të Floridës.

Republikanët janë bashkuar për një kohë të gjatë në dëshirën e tyre për t’i mohuar presidentit Obama rizgjedhjen, pavarësisht nga pyetjet e vazhdueshsme rreth nivelit të pasionit të tyre për kandidatin Mitt Romney.

Demokratët kanë përdorur javën e tyre në Sharlot në përpjekje për të ringjallur besnikët e partisë, të vetëdijshëm se niveli entuziazmit për presidentin ka rënë në krahasim me zgjedhjet presidencial katër vite më parë.

Për delegatin nga Xhorxhia Al Williams, Kuvendi i Partisë Demokratike ishte një mjet efektiv për unitetin e partisë.

“Pjesëmarrësit në këtë kuvend janë plotë energji. Tani është thjeshtë çështje e transferimit të kësaj energjie te njerëzit tjerë jashtë sallës së kuvendit. Ne jemi të gatshëm, nuk kemi mungesë entuziazmi. Ky kuvend është shumë i ngjashëm me kuvendin e 2008-ës në Denver. Ne do të luftojmë për të fituar zgjedhjet”!

Por disa nga delegatët e pranishëm në kuvendin e demokratëve janë të vetëdijshëm se ekziston një ndjenjë pakënaqësie sepse presidenti nuk ishte në gjendje ta rimëkëmbë ekonominë amerikane shpejtë.

Tom Simmons, ish drejtor i një shkolle është nga Karolina e Veriut, një shtet që zoti Obama e fitoi me një rezultat të ngushtë në vitin 2008, por këtë vit mund ta ketë më të vështirë për të fituar.

“Sigurisht, unë jam i zhgënjyer që gjërat nuk janë mirë. Por, pavarësisht nga ajo që thonë republikanët, Obama ka bërë disa përparime. Ai ka krijuar vende pune. Natyrisht, jo aq shumë sa do të donim”.

Në një përpjekje për të motivuar ata që janë më pak entuziastë këtë vit, demokratët sollën politikanin e tyre më popullorë, ish-presidentin Bill Clinton, i cili me pasion shpjegoj arsyet për ri-zgjedhjen e presidentit Obama.

“Ne besojmë se filozofia ‘të gjithë jemi të bashkuar’, është shumë më e mirë se filozofia ‘varuni në vetvete”.

Krahasimi i niveleve të entuziazmit mes dy kuvendeve nuk është një shkencë ekzakte. Edhe republikanët kishin besim të madh pas kuvendit të tyre në Tampa se ata kanë një kandidat të fortë në Mitt Romney-n për zgjedhjet e nëntorit.
Tom Price është ligjvënës republikan nga Xhorxhia.

“Fakti është se populli amerikan e di tani se presidenti ka dështuar, se politikat e tij nuk funksionojnë, dhe se ata jo vetëm se nuk janë të mirë për vendin, ata i kanë bërë gjërat më keq”.

Pas përfundimit të punimeve të dy kuvendeve, kandidatët presidencial Obama dhe Romney do t’i rikthehen fushatës dhe do të përgatiten për debatin e parë presidencial mes tyre që do të zhvillohet në Denver më 3 tetor.
XS
SM
MD
LG