Lidhje

Presidenti Obama kryeson në anketa në shtete vendimtare


obama
obama
Në garën presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara, dy anketa të reja sjellin lajme pozitive për Presidentin Barack Obama ndërsa ai dhe rivali i tij republikan Mitt Romney vazhdojnë fushatën për zgjedhjet e nëntorit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell më shumë hollësi:

Anketat e fundit tregojnë se mbështetja për Presidentin Obama është rritur në disa shtete të pavendosura, shtete që zakonisht përcaktojnë me votat e tyre se cili kandidat fiton në zgjedhje presidenciale me diferencë të ngushta.

Një anketë e re e televizionit NBC dhe gazetës Wall Street Journal tregon se presidenti ka një epërsi të lehtë ndaj Mitt Romney-t, 47 për qind përballë 44 për qind. Por diferenca është statistikisht jo përcaktuese. Anketa tregon gjithashtu se Presidenti e ka zgjeruar epërsinë ndaj zotit Romney në shumë nga shtetet ku po bëhet lufta më e ashpër, ku kandidatët pritet ta përqendrojnë fushatën.

Një anketë e Universitetit Quinnipiac në tre shtete tregon se zoti Obama do ta rrisë epërsinë ndaj rivalit republikan në javët e ardshme, pavarësisht nga shenjat në rritje të një rritjeje të pamjaftueshme ekonomike. Peter Brown është një nga autorët e anketës.

“Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, Presidenti Obama do të fitonte në Florida, Ohajo dhe Pensilvani, prandaj pothuajse me siguri do të rizgjidhej. Askush nuk është zgjedhur president që nga viti 1960 pa fituar në dy nga tre prej këtyre shteteve. Dhe aktualisht Presidenti kryeson në të treja”.

Zoti Brown thotë se fushata e Presidentit Obama ka transmetuar reklama negative televizive në disa nga shtetet me rëndësi kritike, ku vë në shënjestër politikat ekonomike të zotit Romney kur ai ishte guvernator i shtetit të Masacusetsit.

“Presidenti po shpenzon shuma të mëdha për reklamat e televizionit në këto shtete dhe kjo taktikë po jep rezultat. Reklamat kanë ndikim të madh tek vendimi i votuesve”.

Por fushata e zotit Romney po ashtu ka grumbulluar fonde që kapin shumën e miliona dollarëve për reklama ku kritikohet presidenti. Shumë analistë thonë se republikanët dhe aleatët e tyre mund të mbledhin më shumë fonde sesa demokratët në këto zgjedhje, duke sjellë si rezultat një fushatë të gjatë dhe negative.

Zoti Brown thotë se ekonomia mbetet një cështje kyce për zgjedhjet. Por ai thotë se Presidenti po përpiqet që ta paraqesë veten në contrast të thellë me kundështarin e tij.

“Të gjithë e dine se cili është Presidenti Obama. Të gjithë amerikanët e kanë krijuar përshtypjen për presidentin Obama, negative ose positive. Për Mitt Romney-n është ndryshe. Shumë votues, edhe ata që janë pro ose kundër tij nuk kanë një ide të qartë për të. Ajo që po ndodh është se ai dhe Presidenti Obama janë në garë për të krijuar një profil të caktuar tek votuesit për Mitt Romney-n”.

Anketat e fundit tregojnë gjithashtu mbështetje për masat e Presidentit Obama për të ndalur deportimin e disa emigrantëve të paligjshëm në moshë të re, gjë që mund të konsolidojë mbështetjen e votuesve hispanikë për Presidentin Obama në nëntor. Larry Sabato drejton Qendrën për Politikë në Universitetin e Virxhinias.

“Obama nuk mund të fitojë nëse mbështetja e tij për hispanikët nuk dyfishohet në krahasim me vitin 2008. Ai ka humbur mbështetjen e aq shumë votuesve të bardhë dhe të tjerëve, saqë I duhet të mbështetet tek Afrikano-amerikanët, aziatiko-amerikanët dhe hispanikët për të fituar”.

Në anketën e fundit ka edhe shenja paralajmëruese për presidentin. Sipas sondazhit të NBC-Wall Street Journal, mbështetja e përgjithshme për zotin Obama ka arritur një pike edhe më të ulët dhe është tani 47 për qind, ndërsa 53 për qind nuk e miratojnë menaxhimin e ekonomisë nga ana e tij.

Zoti Brown, tërheq vëmendjen se megjithëse anketa e fundit mund të ketë lajme të mira për Presidentin, ka edhe disa muaj deri në nëntor dhe zoti Romney ka kohë të mjaftueshme për ta paraqitur veten para votuesme në zgjedhjet që shumë analistë thonë se do të kenë një rezultat të ngushtë.
XS
SM
MD
LG