Lidhje

Tiranë: Zgjedhjet dhe incidentet në fushatë


Kryetari i KQZ, Klement Zguri, shprehu sot shqetësim të thellë lidhur me incidentet e fundit gjatë fushatës zgjedhore, bashkë me shpresën që ato të mbeten raste të izoluara.

Zoti Zguri tha se fushata deri tani përgjithësisht ka kaluar në një klimë të qetë. Ai u bëri thirrje të gjithë votuesve dhe simpatizantëve të partive politike, që të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm, që bie ndesh me të drejtat dhe liritë njerëzore dhe ligjin për zgjedhjet.

“Respektimi i vullnetit të lirë të çdo qytetari është standardi kryesor që ne duhet të plotësojmë në çdo fazë të procesit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që të arrijmë standardet më të larta zgjedhore, pasi ato janë elementi kryesor për përshpejtimin e proceseve integruese drejt familjes europiane” - tha zoti Zguri.

Kryetari i KQZ-së, Zguri, theksoi se zbatimi i ligjeve për zgjedhjet dhe përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë detyra thelbësore e çdo subjekti zgjedhor dhe institucioneve shtetërore, të cilët nuk duhen përfshirë në fushatë, por duhet të zbardhin çdo incident, shpejt, plotësisht dhe me transparencë, duke shmangur çdo keqpërdorim të tyre. Veprimtaria e këtyre institucioneve nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, transparente dhe demokratike, tha ai.

“Jam besimplotë se liderët politikë të të gjitha subjekteve zgjedhore do të ndërhyjnë në mënyrë energjike për të shmangur çfarëdo klime tensioni dhe të rrisin besimin e çdo simpatizanti dhe shqiptari te procesi zgjedhor. Është koha të dëshmohet maturi dhe seriozitet” - tha zoti Zguri.

Edhe sot KQZ miratoi lista të tjera me vëzhgues nga OSBE dhe misionet diplomatike të shteteve demokratike perëndimore, si dhe një seri mediash e gazetarësh vendas e të huaj për të ndjekur nga afër zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Forcat politike prej disa ditësh kanë ashpërsuar tonet gjatë fushatës zgjedhore me akuza e kundër akuza për mënyrën e deritanishme të qeverisjes së vendit dhe duke fajësuar njëra-tjetrën për përfshirjen në incidente të dhunshme.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG