Lidhje

Tiranë: Qeveria vendos të dëmshpërblejë plotësisht banesat e Zharrëzës


Qeveria miratoi në Tiranë një paketë masash për dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e tokës në Zharrëz të Patosit dhe Kuman të Roskovecit.

Vendimi i qeverisë përcakton afate të shpejta për vlerësimin e banesave të dëmtuara rëndë apo të shkatërruara plotësisht dhe dëmshpërblimin e plotë të tyre nga buxheti i shtetit dhe kompania e naftës Bankers Petroleum.

Një ekspert i pavarur ndërkombëtar po kontraktohet për vlerësimin shkencor mbi shkaqet e lëkundjeve.

Ministri i energjisë dhe industrisë urdhëroi dy ditë më parë kompaninë Bankers Petroleum të ndalojë injektimin e ujit në shtresat gëlqerore në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit pa dëmtuar mjedisin, sipas standarteve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat për komunitetin.

Qeveria ftoi banorët të mbështesin grupet e punës në terren, të cilat po fillojnë punën menjëherë, në mënyrë që vlerësimi i banesave të dëmtuara të kryhet brenda muajit.

Një grup banorësh të fshatit Zharrëz nga bashkia e Patosit zhvilluan një protestë prej disa ditësh para ministrisë së energjisë, duke kërkuar të dëmshpërblehen për dëmet e rënda që ka marrë mjedisi dhe disa qindra banesa të tyre, për shkak të lëkundjeve të forta sizmike.

Ata kërkuan rehabilitimin e mjedisit në zonën e ndotur në ajër, ujë, dhe toka bujqësore.

Pas dy greva urie dhe pas një marshimi 4 ditë në këmbë nga fshati i tyre deri në ministrinë e energjisë në Tiranë, protestuesit e mbyllën protestën e tyre para ministrisë së energjisë, duke pritur të zbatohet vendimi i qeverisë.

XS
SM
MD
LG