Lidhje

Reforma e tokës në Zimbabve


Disa bujq dhe familjet e tyre në Zimbabve po jetojnë jashtë pasi janë dëbuar nga një pronar zezak i fermës, gjë që ngre pikëpyetje për politikën e reformës së tokës të Presidentit Robert Mugabe, i cili ka thënë se synon të korregjojë gabimet e sundimit të pakicës së bardhë dhe t’u shërbejë të gjithë zezakëve të Zimbabve.

Në fushë, pranë rrugës, rreth 100 kilometra në perëndim të Harares, për më shumë se një javë, këto nëntë familje kanë qëndruar këtu, pasi një fermer zezak i dëboi ata nga Westfield-i, një fermë ku ata jetonin dhe punonin për një pronar të bardhë. Ata nuk kanë ujë dhe banjo këtu. Vurayayi Vurayayi është një prej anëtarëve të këtyre familjeve që të gjitha së bashku kanë 40 anëtarë.

“Jemi në vështirësi sepse nuk është e lehtë të jetosh në rrugë. Problemi është se fëmijët e mi nuk po shkojnë në shkollë. Kjo është e dhimbshme dhe po ashtu e dhibshme sepse vetë jam zezak dhe jo i bardhë. Zezakët po më përndjekin. Nuk e di pse po ndodh kjo. Mendoj se nuk jam zimbabvian tani, se po të isha ne do të uleshim e të bisedonim”.

Programi i reformës së tokës në Zimbabve që filloi në vitin 2000, e ka larguar shumicën e fermerëve të bardhë nga toka e tyre dhe i ka zëvendësuar ata kryesisht me fermerë zezakë.

Presidenti Robert Mugabe thotë se programi ka për qëllim të korregjojë padrejtësitë e sundimit të bardhë dhe në këtë kuadër zezakët e Zimbabves të kenë përfitime. Por tani fermerët e rinj po e dëmtojnë punëtorët zezakë, duke i dëbuar ata.

Kjo grua shtatzënë 37-vjeçare, e cila nuk pranon të japë emrin, thotë se nëntë familjet e dëbuara jetojnë në kushte shumë të rënda.

“Është e dhimbshme sepse ne po trajtohemi si skllevër, thotë ajo. Ne po jetojmë në anë të rrugës, e gjithë familja, ne jemi tani në varfëri. Nuk kemi ushqim, nuk kemi batanije, ne po jetojmë jashtë”.

Të martën, një gjykatë e shpalli dëbimin të paligjshëm, pasi Avokatët Zimbabvianë të të Drejtave të Njeriut shkuan në gjyq. Por Peter Rupiya, menaxheri i fermës Westfield thotë se nuk do ta zbatojë vendimin e gjyqit, pasi reforma e tokës është një çështje delikate në Zimbabve.

"Ne marrim urdhëra nga ata që janë mbi ne”, thotë ai. “Ata na thonë se çfarë drejtimi të marrim. Kjo është një çështje e vështirë, kjo është arsyeja që unë po përpiqem të diskutoj me avokatët. Nuk jam i predispozuar të angazhohem në këtë çështje. Zyrtarë shumë të lartë janë të angazhuar në të. Nuk do t’i përmend emrat e tyre, ata kanë qënë atje. Prandaj nuk dua që t’i marr përsëri në punë këta njerëz”.

Kennedy Masiye i Avokatëve të Zimbabves për të Drejtat e Njeriut tha se do të shkojë përsëri në gjykatë brenda dy javësh për të marrë urdhërin përfundimtar që punëtorët e fermës të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nuk prisja ta shikoja këtë gjendje. Fëmijë dhe gra po jetojnë jashtë. Nuk ka ujë. Ajo që më motivoi ta trajtoj këtë çështje ishte dëbimi i tyre arbitrar e barbar. Nuk ka patur urdhër gjykate për këtë”.

Me afrimin e sezonit të shirave këtë muaj, këta punëtorë të fermave shpresojnë që së shpejti të kenë një strehë ku të futen.
XS
SM
MD
LG