Lidhje

Zimbabveja ende në vështirësi, pavarësisht nga tregtia e diamantëve


Shkëlqimi i diamantëve nuk duket se rrezaton në Zimbabve. Ekonomia në këtë vend nuk ka shënuar rritje, megjithëse janë zbuluar depozita të këtyre gurëve të çmuar. Zona e Maranges, ku ndodhen depozitat është bërë sinonim me korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, gjë që çoi në embargo ndaj eksportit të diamantëve të Zimbabvesë në vitin 2008. Tani embargoja është hequr dhe qeveria po përpiqet të krijojë imazhin se çdo gjë ecën mirë në Marange.

Depozitat e diamantëve në Zimbabve mund të jenë më të mëdhatë të zbuluara kohët e fundit në botë dhe mund t’i japin një shtysë të madhe ekonomisë së vendit. Por deri tani kanë nxitur vetëm akuza për shkelje të të drejtave të njeriut nga ushtria gjatë nxjerrjes së diamantëve. Qeveria i hedh poshtë këto akuza.

Kohët e fundit, grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësimin se paratë e gjeneruara nga shitja e diamantëve po ushqejnë partinë ZANU-PF të presidentit Robert Mugabe për të siguruar rizgjedhjen e tij. Kohët e fundit, qeveria sponsorizoi një vizitë në zonën e pasur me diamantë për të bindur aktivistët për të drejtat e njeriut se abuzimet janë ndalur.

Shamiso Mtisi është bashkërendues për Koalicionin e Shoqërisë Civile për zbatimin e Procesit Kimberley, një sistem ndërkombëtar që u hartua për të ndalur eksportimin e të ashtu-quajturve ‘diamantë gjaku’. Ai ishte pjesë e grupit të aktivistëve që vizituan zonën:

"Për fat të keq nuk u takuam me komunitetin. Takuam disa përfaqësues të komunitetit. Por deshëm të takoheshim me njerëz të thjeshtë në Marange. Pra nuk arritëm të zbulojmë hollësitë që lidhen me shkeljet e të drejtave të njeriut në Marange. Por kur bëhet fjalë për mundësinë për të marrë ujë të pishëm, apo zhvendosjen e familjeve, bëhet fjalë edhe për shkelje të të drejtave të njeriut”.

Zoti Mtisi u referohet atyre mijëra familjeve që janë zhvendosur për të mundësuar vazhdimin e procesit të nxjerrjes së diamantëve. Qeveria dhe kompanitë e nxjerrjes janë zotuar t’i sistemojnë familjet e zhvendosura. Por ky zotim nuk është përmbushur ende.

Ky 26-vjeçar që prezantohet me emrin Richard, është minator diamantësh. Ai beson se qeveria e zotit Mugabe duhet të lejojë edhe individët të kërkojnë për diamantë së bashku me kompanitë e diamantëve:

“Mendoj se qeveria duhet t’u ofrojë mundësi individëve që nxjerrin diamantë, ta bëjnë një gjë të tillë pa u bezdisur. Ushtarët dhe qeveria duhet të marrin përgjegjësinëpër mbrojtjen e tyre. Njerëzit mund të nxjerrin diamantë dhe t’ia shesin më pas qeverisë. Pra të funksionojë si një lloj punësimi. Duhet të kenë një mënyrë jetese”.

Ai thotë se ushtarët dhe policët e kanë rrahur, por ai vazhdon të futet fshehurazi në fushat me depozita diamantësh.

“Kjo është jeta ime. Në qytetin tim nuk ka punë, nuk gjen dot punësim që të përballosh jetesën. Je i detyruar të shkosh në zonën e diamantëve, sado e vështirë që të jetë. Je përballë zgjedhjes për jetë a vdekje. Nuk kam si të siguroj jetesën, po nuk nxora diamantë”

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, ritmet e papunësisë në Zimbabve janë 80 për qind. Shumë veta mendonin se me zbulimin e diamantëve 8 vjet më parë, problemet e vendit do të merrnin fund. Por situata në vend mbetet tepër e rëndë, megjithëse ka pasur një përmirësim të vogël të ekonomisë. Aktivisti Mtisi thotë se do të ketë një përmirësim më të madh nëse ka transparencë në operacionet e nxjerrjes së diamantëve në Zimbabve:

"Mendoj se çdokush në Zimbabve do të donte që diamantët e Maranges t’i shërbenin të mirës së vendit. Është në të mirë të Zimbabvesë të bëhet e ditur publikisht sasia e të ardhurave nga diamantët. Kur ta dimë këtë shumë, do të jemi më të vetëdijshëm për mënyrën si përdoret për nevojat energjetike, të ujit, sektorin shoqëror, ku ka nevoja të mëdha”.

Zoti Mtisi thotë se grupet e shoqërisë civile do të donin që këto fonde të përdoren për shërbime sociale që vlejnë për të përmirësuar jetët e banorëve të Zimbabvesë.

XS
SM
MD
LG