Lidhje

Perëndimi ndjek me shqetësim zhvillimet në Zimbabve

  • Henry Ridgewell

Britania, ish-fuqia kolonizatore e Zimbabvesë së sotme, ka bërë thirrje për qetësi pas zhvillimeve të fundit në vend që me sa duket kanë rezultuar në dëbimin e Presidentit Robert Mugabe nga pushteti. Mugabe, udhëheqës në vitet 1970 i lëvizjes për pavarësi, ka pasur marrëdhënie të tendosura me Britaninë, e cila së bashku me aleatët amerikanë dhe evropianë e akuzon për sundim të shoqëruar me shkelje në masë të të drejtave të njeriut.

Para ambasadës së Zimbabvesë në Londër kanë filluar festimet nga disa përkrahës të opozitës që shpresojnë se ka marrë fund epoka e Mugabes:

“I vlerësojmë ato që ka bërë më parë. Por për fat të keq ai nuk veproi si duhet kur pritej të largohej nga pushteti. Duhet të ishte larguar prej kohësh,” thotë një aktivist.

Robert Mugabe e ka mbajtur pushtetin për afro katër dekada, shpesh herë duke shtypur kundërshtarët politikë. Pas dhunës që shoqëroi zgjedhjet e 2002, Britania dhe Bashkimi Evropian vendosën ndalim udhëtimi ndaj presidentit.

Trazirat e fundit shpërthyen pasi Mugabe shkarkoi nënpresidentin Emerson Mnangagwa, duke hapur rrugën që bashkëshortja e tij, Grace Mugabe të trashëgonte postin presidencial.

Të martën në kryeqytetin Harare u futën tanket, një ditë pasi kreu i forcave të armatosura në vend paralajmëroi se do të ndërhynte “nëse Mugabe nuk ndalonte largimin nga partia të përkrahësve të ish-nënpresidentit”.

Për momentin nuk dihet ku ndodhet nënpresidenti i shkarkuar. Mendohet se ai është në Afrikën e Jugut dhe pritet të kthehet në atdhe.

Ndërkohë thuhet që Robert Mugabe është nën arrest shtëpiak. Analisti Nick Branson thotë se situata duhet trajtuar me kujdes:

“Situata kërkon qëndrime gjakftohte dhe marrëveshje pas skenave, por jo diplomaci të hapur gjë që Britania ka praktikuar historikisht”.

Sekretari i Jashtëm britanik kishte këtë reagim ndaj marrjes së kontrollit nga ushtria:

“Askush nuk do thjesht zëvendësimin e një tirani të pazgjedhur me një tjetër. Ne duam të shohim zgjedhje të mirëfillta të lira dhe të drejta vitin e ardhshëm; këtë synojmë të arrijmë,” tha Sekretari Johnson.

Bashkimi Evropian bëri thirrje për qetësi:

“Duhet të respektohen të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve dhe rendi kushtetues e qeverisja demokratike,” tha zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Veteranët e luftës për pavarësinë e Zimbabvesë mbeten pjesa më aktive e partisë Zanu-PF. Ndër ta, nënpresidenti Emerson Mnangagwa, për të cilin shumë presin të bëhet presidenti i ardhshëm. Dëbimi i tij nga Mugabe solli ndërhyrjen e ushtrisë:

“Ushtria ndërhyri pas alarmit që shkaktoi dëbimi i nënpresidetit që mendohej se u bë për të vënë në krye të vendit Grace Mugaben, megjithëse ajo nuk ka dhënë kontribut në luftë,” thotë analisti Branson.

Ishte kontributi në luftë që e solli Mugaben në pushtet. Tani bashkëluftëtarët e tij mendojnë se qeverisjes së tij i ka ardhur fundi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG