Lidhje

Zucchero nxjerr në treg albumin e ri


Zucchero nxjerr në treg albumin e ri
Zucchero nxjerr në treg albumin e ri

Një nga këngëtarët më të suksesshëm të muzikës rock në Itali, Zucchero, ka nxjerrë së fundmi në treg një album të ri të titulluar “Chockabeck”.

Ky album përfshin vargje të shkruara nga pjesëtari i grupit U2 Bono dhe nga Iggy Pop. Gjatë një vizite në Nju Jork, këngëtari thotë se për albumin ka bashkëpunuar me zëra të tjerë, si Brisan Wilson dhe grupi the Beach Boys.

Një legjendë në Itali dhe i suksesshëm në Evropë, Adelmo Fornaciari, ose siç njihet ndryshe, Zucchero, u rrit në një qytet të vogël të Italisë, bir i dy fermerëve të cilët nuk kishin para të mjaftueshme për t’i blerë një instrument muzikor. Por Zucchero gjeti një mënyrë tjetër për të ndjekur pasionin e tij.

“Kur isha në shkollën fillore, unë nuk kisha para për të blerë një kitarrë, një organo apo një vegël tjetër muzikore, prandaj çdo mëngjes, para se të shkoja në shkollë kaloja gjysmë ore në kishë dhe prifti më lejonte t’i bija organos, duke menduar se unë po luaja muzikë kishtare,- kujton ai. - Por unë nuk luaja muzikë kishtare. Unë interpretoja muzikën e grupit britanik të muzikës rock Procul Harum. Në këtë mënyrë fillova të përdorja disa instrumenta muzikorë. Edhe sot më pëlqen shumë organo. Në fakt, në albumin tim të ri “Chocabeck” ka shumë pjesë me organo.”

Zucchero ka nxjerrë në treg albumin e ri “Chocabeck”.

“Me siguri adhuruesit e mi nuk e prisnin një album të tillë. Ata duan gjithmonë pak a shumë të njëjtat gjëra. Po unë mendoj se ky është një nga albumet më të mira. Nuk e them vetëm unë – edhe kritikët janë duke thënë të njëjtën gjë.”

Albumi i ri përfshin vargje të shkruara nga pjesëtari i grupit U2 Bono dhe nga Iggy Pop, si dhe zëra si Brisan Wilson dhe grupi the Beach Boys, të cilët ishin duke punuar rastësisht në të njëjtën studio regjistrimi me Zuccheron dhe producentin e tij.

“Kjo nuk është muzika italiane tipike, por ajo ka nota blues dhe është e influencuar nga muzika rock dhe meloditë mesdhetare,” shpjegon Zucchero.

Albumi i ri u frymëzua nga dëshira për t’iu rikthyer një jete të thjeshtë.

Zucchero kaloi gjashtë muaj në një fermë në rajonin e Toskanës dhe albumi i ri ishte rezultati, për të cilin autori thotë se është shumë personal.

Kënga “Chocabeck”, titullin e të cilës mban edhe albumi, u shkrua për t’i përcjellë dëgjuesit ndjesinë e një të diele tipike, në një fshat të vogël tradicional.

Zucchero thotë se ai mendon se albumin e tij më të mirë ende nuk e ka krijuar.

Unë mendoj se gjëja më e vështirë është të mbetesh ai që je. Kjo është ajo që unë po bëj dhe ndjej që kam ende një zjarr brenda meje dhe dua të bëj diçka që është e mirë për mua, në radhë të parë. Ende më mbetet të shkruaj albumin tim më të mirë. Dhe jam shumë kurioz....”

XS
SM
MD
LG