Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA janë afër pikut të pandemisë së koronavirusit të ri, por ekspertë të tjerë shprehen se pa një vaksinë ose një kurë të efektshme, rihapja plotësisht e ekonomisë mund të zgjasë më shumë nga sa do të dëshironte administrata e Presidentit Donald Trump.
"Modelet tregojnë se jemi shumë afër pikut. Prandaj mendoj se informacioni është i saktë," tha Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave Stephen Hahn për programin "This Week” të televizionit ABC.
Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur që vendi të hapet sa më shpejt, madje duke sugjeruar në një rast se Pashkët mund të ishin momenti për ta bërë këtë.
Por profesionistët e mjekësisë thanë më pas se rihapja do të ishte e pamundur para fillimit të majit, duke paralajmëruar se infeksionet mund të rigjallërohen nëse hiqen kufizimet.
Zoti Hahn tha se është tepër herët për të caktuar një datë, por shtoi se "Ne shohim dritë në fund të tunelit".
Eksperti amerikan Zeke Emanuel, këshilltar special i drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, tha për ABC News se nuk parashikon që jeta t’i kthehet plotësisht normalitetit edhe për 18 muaj të tjerë. "Kushdo që ju thotë se do të kemi një vaksinë për tre ose katër muaj, ky nuk është realiteti se si funksionon biologjia dhe kërkimi shkencor," tha ai.
Megjithëse disa modele parashikojnë që e diela të shënojë pikun e sëmundjes, kurba e zbritjes nënkupton shumë javë të tjera gjatë të cilave njerëzit në të gjithë vendin duhet të tregojnë kujdes, thanë zyrtarët.
Facebook Forum