Lidhje

Zyrtarët amerikanë: Bin Laden rezistoi, por nuk ishte i armatosur


Zyrtarët amerikanë: Bin Laden rezistoi, por nuk ishte i armatosur
Zyrtarët amerikanë: Bin Laden rezistoi, por nuk ishte i armatosur

Zyrtarët amerikan të martën rishikuan përshkrimin e tyre mbi rrethanat e vrasjes së udhëheqësit terrorist të al-Qaidës Osama bin Laden, ndërkohë që më shumë detaje u vunë në dispozicion. Të dhënat e reja tregojnë se bin Laden u rezistoi forcave amerikane dhe nuk ishte i armatosur.

Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Jay Carney u dha gazetarëve një përshkrim të rishikuar të ngjarjeve të së dielës, të marra nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Sipas këtij varianti, forcat amerikane shkëmbyen zjarr për afro 40 minuta sa zgjati edhe operacioni.

"Në katin e parë të ndërtesës së bin Ladenit, dy korrierë të al-Qaidës u vranë, së bashku me një grua që u vra nga shkëmbimi i zjarrit. Bin Laden dhe familja e tij u gjetën në katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës."

Zoti Carney tha se bin Laden u rrezistoi forcave amerikane, por ishte i paarmatosur, ndryshe nga njoftimet e mëparshme. Informacioni nga Pentagoni tërheq sugjerimet e mëparshme se bin Laden dhe të tjerët përdorën gratë si mburoja njerëzore gjatë luftimeve.

"Bin Laden dhe familja e tij u gjetën në katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës. Pati shqetësime se bin Laden nuk do të pranonte kapjen dhe vërtet ashtu ndodhi. Në një dhomë me bin Ladenin, gruaja e tij u turr ndaj një ushtari amerikan dhe u qëllua në këmbë, por nuk u vra. Më pas bin Laden u qëllua dhe u vra. Ai nuk ishte i armatosur."

Zoti Carney nuk dha shpjegime se në çfarë lloj forme kishte rezistuar bin Laden. Në konferencën e shtypit të së martës, zëdhënësi i presidentit tha se zyrtarët po diskutojnë për publikimin apo jo të një fotografie të bin Ladenit pas vrasjes nga plumbat në gjoks dhe fytyrë. Zëdhënësi e quajti foton “të frikshme” dhe se imazhi mund të jetë nxitës.

"Që të jemi të sinqertë, kjo është çështje sensitive nëse është e përshtatshme publikimi i fotove të bin Ladenit pas vrasjes. Ne po shqyrtojmë nevojën për ta bërë këtë."

Kur u pyet lidhur me angazhimin e Pakistanit për të luftuar terrorizmin, zoti Carney tha se Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani kanë mospajtime. Por ai lavdëroi qeverinë e Islamabadit për ndihmës e saj.

"Kjo është një marrëdhënie e rëndësishme por e komplikuar. Pakistani është vend partner, një partner i rëndësishëm në luftën kundër al-Qaidës dhe terrorizmit. Ata kanë qënë shumë të vyeshëm dhe presim me padurim bashkëpunimin në të ardhmen."

Më herët të martën, drejtori i CIA-s Leon Panneta tha për gazetën Time se agjencia e zbulimit përjashtoi bashkëpunimin me Pakistanin lidhur me operacionin për asgjësimin e bin Ladenit. Zyrtarët ishin të shqetësuar se Pakistani mund të kishte vënë në rrezik misionin duke paralajmëruar terroristët.

Zoti Carney tha se Pakistani është një vend i madh dhe se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk e dinë se kush në qeveri mund të kishte dijeni se bin Laden ishte në kompleks.

Sekretari i shtypit tha se administrata e presidentit Obama shpreson që informacionet e marra nga kompleksi do të kenë fakte rreth ndonjë sulmi të planifikuar, informacion që do të çojë drejt objektivave të tjera të rëndësishme apo rrjete të tjera terroriste si dhe informacione se si bin Laden ishte në gjendje të jetonte në oborre periferike për aq kohë sa jetoi.

XS
SM
MD
LG