Kandidatët presidencialë Mitt Romney dhe presidenti Barak Obama, janë përqëndruar gjatë fushatave të tyre sot tek çështjet ekonomike.
Kandidati për nënpresident i partisë republikane, Paul Ryan, tha se republikanët do të mbrojnë amerikanët e moshuar nga shkurtimet në Medicare, programi shëndetësor qeveritar për qytetarët e moshuar.
Gjatë një takimi elektoral, ku pjesëmarrësit kryesisht ishin të moshuar në një komunitet pensionistësh në Florida, ai tha se si nëna dhe gjyshja e tij kishin përfituar nga Medicare. Nëna 78 vjeçare e zotit Ryan ishte pjesmarrëse në takim.
Ndërkaq presidenti Obama e ka përqëndruar fushatën e tij gjatë ditës së sotme në shtetin New Hampshire, tek planet për shkurtimet buxhetore të kundërshtarit të tij.