Vazhdojnë ndryshimet në kabinetin Obama

White House

Ndryshimet në administratë gjatë mandatit të dytë të një presidenti janë mjaft të zakonshme në SHBA.
Presidenti Barak Obama është duke u thënë lamtumirë shumë anëtarëve kyç të administratës, dhe po shton fytyra të reja në listën e kabinetit ndërsa përgatitet për mandatin e dytë të tij katër-vjeçar.

Presidenti Obama ka emëruar tashmë senatorin demokrat dhe ish-kandidatin presidencial John Kerry si sekretar të tij të ri të shtetit për të zëvendësuar Hillary Clinton. Dhe në një lëvizje të diskutueshme, ai caktoi ish-senatorin republikan Chuck Hagel të zevendësojë Leon Panetën si sekretar të mbrojtjes.

Poste të tjera për t'u plotësuar përfshijnë atë të sekretarit të Tregtisë, sekretarit të Thesarit dhe kreun e Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit. Presidenti Obama ka emëruar gjithashtu si drejtor të Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA) krye-këshilltarin e tij për çështje të kundër terrorizmit Xhon Brenan, pasi ish kreu i CIA-s, David Petraeus dha dorëheqjen vitin e kaluar për shkak të një çështje jashtëmartesore.

Ndryshimet në administratë gjatë mandatit të dytë të një presidenti janë mjaft të zakonshme në SHBA. Kur George W. Bush, paraardhësi i zotit Obama, u rizgjodh në vitin 2004, ai zëvendësoi të paktën tetë drejtues kabinetesh.

Zoti Obama do të bëjë betimin për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Përderisa kjo datë është ditë e dielë, përurimi i tij publik do të mbahet më 21 Janar.