Veprimtari egjiptian vdes në paraburgim

egypt activist

Në një deklaratë të presidentit Morsi thuhet se çështja do të hetohet dhe se nuk do të ketë kthim prapa në shkeljet e të drejtave të kryera nga paraardhësi i tij, Hosni Mubarak
Një aktivist egjiptian i arrestuar në një tubim anti-qeveritar muajin e kaluar, vdiq në paraburgim policor, duke zemëruar protestuesit në veri të vendit dhe duke e detyruar qeverinë që të urdhërojë një hetim policor për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

28-vjeçari Mohamed El-Gendy vdiq të hënën pasi policia e kishte transferuar në një spital në qytetin Tanta. Policia e kishte arrestuar anëtarin e partisë opozitare Popullore në një protestë në sheshin Tahrir të Kairos më 27 janar. Miqtë dhe familja e El-Gendyt thonë se plagët e tij fatale ishin rezultat i torturës policore.

Pas funeralit të aktivistit në Tanta, disa protestues hodhën gurë mbi policinë dhe u përpoqën të sulmonin një ndërtesë qeveritare. Forcat speciale të policisë u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Zyra e presidentit Mohamed Morsi tha se ai ka urdhëruar një hetim rreth vdekjes së El-Gendyt. Në një deklaratë, presidenti u zotua se nuk do të ketë kthim prapa në shkeljet e të drejtave të kryera nga autoritetet egjiptiane gjatë sundimit të paraardhësit të tij, Hosni Mubarak, i cili u rrëzua në një kryengritje popullore në vitin 2011.