Nën pranga 5 burra që përdhunuan një turiste në Indi

Policia indiane arrestoi 5 burra, të cilët pranuan se përdhunuan në grup një turiste zvicerane në shtetin qendror të Madja Pradeshit.

Gruaja 39 vjeçare ishte në një udhëtim çiklizmi bashkë me të shoqin kur ata u sulmuan nga një grup burrash në qendrën e tyre të kampimit në pyll, pasi kishin vizituar qytetin tempull të Orchhas.

Zv. inspektori i policisë, D.K. Arya tha se burrat rrahën të shoqin dhe e përdhunuan gruan në sy të tij. Ata i vodhën çiftit edhe kompjuterin dhe një telefon celular.

Ky sulm është rasti më i fundit i sulmeve të dhunshme seksuale kundër grave në Indi.

Para tre muajsh India u përfshi nga zemërimi dhe protestat në mbarë vendin pas përdhunimit vdekjeprurës në grup të një studenteje 23 vjeçare nga 5 burra dhe një i mitur në një autobus të New Delhit dhjetorin e kaluar.