Clinton në garën presidenciale 2016?

Ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton këto ditë është vënë përsëri në qendër të vëmendjes: a do të përfshihet ajo në garën e zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës?

Mbrëmë zonja Clinton mbajti një fjalim, hera e parë që ajo flet në publik që nga koha kur u largua nga posti i Sekretares së Shtetit. Zonja Clinton foli për gratë, ajo tha se krijimi i mundësive për gratë dhe vajzat lidhet me mirëqenien dhe sigurinë e të gjithëve.

Por sytë e të gjithëve në takim ishin drejtuar edhe tek nënpresidenti Joe Biden, a do të jetë ai rivali i zonjës Clinton në 2016-ën? Vetë zonja Clinton nuk është shprehur ende për planet e saj, madje ajo ka thënë se nuk ka synime për garën presidenciale, por ka shumë shenja që tregojnë se ajo mund të përfshihet në garë.

Kohët e fundit ajo iu bashkua fushatës për martesën mes homoseksualëve dhe disa nga demokratët me ndikim kanë thënë se në se ajo do të kandidojë, do ta mbështesin.