Dënohen 6 kroatë të Bosnjes nën akuzat për vrasje

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës dënoi gjashtë udhëheqës politikë dhe ushtarakë kroatë të Bosnjes nën akuzat për vrasje, përdhunim dhe dëbim të myslimanëve të Bosnjës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.

Gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë thanë gjithashtu se udhëheqësit kroatë, duke përfshirë edhe ish presidentin e ndjerë Franjo Tuxhman, ishin bashkëfajtorë në planet për të krijuar në Bosnjë një mini-shtet kroat.

Gjykata tha se vrasjet, përdhunimet dhe dëbimet "nuk ishin akte të rastësishme të kryera nga pak ushtarë të padisiplinuar", por pjesë e një plani për të larguar myslimanët përfundimisht nga territoret bosnjake të pretenduara nga kroatët e Bosnjës.

Gjashtë të akuzuarve iu dhanë dënime nga 10 deri në 25 vjet. Dënimi më i gjatë iu dha Jadranko Prliçit, i cili udhëhoqi republikën e vetëshpallur kroate brenda Bosnjës.