Britania, hetim për Litvinenkon

Britania do të ndërmarrë një hetim zyrtar lidhur me vdekjen para shtatë vjetësh të ish-spiunit rus Alexander Litvinenko, por një zëdhënës i kryeministrit David Cameron thotë se ky vendim nuk ka të bëjë aspak me dyshimet për rolin e Rusisë tek rrëzimi i avionit të Malaysia Airlines në Ukrainë javën e kaluar.

Litvinenko kishte qenë agjent rus dhe vdiq pasi kishte gëlltitur polonium radioaktiv 210, duke pirë çaj në një hotel në Londër në vitin 2006. Britania e hetoi vdekjen e Litvinenkos në atë kohë, por pa përcaktuar nëse vetë shteti rus mund të ishte përgjegjës për vrasjen.

Litvinenko kishte shkëputur lidhjet me qeverinë e tij dhe në shtratin e vdekjes kishte akuzuar Presidentin rus se kishte urdhëruar vrasjen e tij.

Vendimi për një hetim zyrtar është një kthesë e konsiderueshme nga ana e qeverisë britanike, e cila më parë i kishte resistuar kësaj ideje me argumentin se nuk donte të bënte publik informacion sensitiv zbulimi.

Hetimi fillon më 31 korrik dhe pritet të vazhdojë deri në fund të vitit 2015.