Përpjekjet për Ebolën

Ministrat e shëndetësisë të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Bruksel për bisedime të nivelit të lartë mbi Ebolën. Ndërkohë, presidenti amerikan Barak Obama tha dje se rreziku i një shpërthimi në shkallë të gjerë i Ebolës në vend është shumë i ulët nëse merren të gjitha masat mbrojtëse.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të ndalojë udhëtimet për në Shtetet e Bashkuara të personave nga Afrika perëndimore, epiqendra e epidemisë së Ebolës. Zëdhënësi Josh Earnest tha se ndalimi i udhëtimeve do të bënte që njerëzit të gënjenin për itinerarin e udhëtimeve të tyre. Kjo deklaratë bëhet ndërkohë që zyrtarë të lartë të sistemit të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara diskutuan përgjigjen ndaj Ebolës para një komisioni të Kongresit Amerikan sot. Kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Thomas Frieden shprehu shqetësimin se virusi i Ebolës do të paraqesë kërcënim afat-gjatë për sistemin amerikan të shëndetësisë. Ai pohoi se ende nuk është prodhuar një vaksinë e efektshme kundër sëmundjes, por u shpreh optinist se ky virus nuk do të shndërrohet në një kërcënim të konsiderueshëm për shëndetin publik në Shtetet e Bashkuara.

Ministrat e shëndetësisë të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Bruksel për bisedime të nivelit të lartë lidhur me masat që shtetet anëtare duhet të marrin në kufijtë e tyre për të kontrolluar në mënyrë të efektshme udhëtarët që hyjnë në Evropë nga vendet e infektuara me Ebolë.

Duke folur me gazetarët përpara takimit, ministrja taliane e Shëndetësisë Beatrice Lorenzin, e cila kryeson takimin në Bruksel, tha se po diskutohen një sërë masash kontrolli në aeroporte, pjesë e përpjekjeve për të ndalur përhapjen e Ebolës.

"Do të propozoj një sistem për kontrollin e udhëtarëve nga aeroporti i parë, aeroporti i daljes, për në aeroportet e dytë apo të tretë. Pra, që të kemi më shumë informacion për njerëzit, më shumë informacion për vendet dhe një nivel të lartë kontrollesh. "

Raed Arafat, ministri rumun i shëndetësisë tha se "Europa duhet të ketë një plan në nivelin e Evropës dhe jo thjesht në nivel të çdo vendi."

Virusi vdekjeprurës, i cili transmetohet nga lëngjet trupore, deri tani ka infektuar rreth 9.000 njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e pothuajse 4,500 vetëve.

Numri i njerëzve që marrin virusin dyfishohet çdo 3 deri në 4 javë.

Këtu në SHBA, udhëheqësit e Kongresit do të mbajnë sonte një seancë dëgjimore me ekspertët e lartë shëndetësorë të vendit për të diskutuar mbi masat e zbulimit dhe kontrollit për Ebolën.

Dje, duke folur në një mbledhje të kabinetit, Presidenti Obama bëri thirrje që në çdo spital ku është diagnostikuar një rast me Ebolë të vendoset menjëherë një ekip mjekësore i emergjencës federale, për të garantuar marrjen e masave parandaluese.

"Ne duam të garantojmë se këto raste nuk do të përsëriten dhe se do të vëzhgojmë dhe mbikqyrim në mënyrë shumë më agresive për të gjetur saktësisht se çfarë ndodhi në spitalin e Dallasit dhe që mësimet e nxjerra t'u përcillen spitaleve dhe klinikave të gjithë në të gjithë vendin," tha Presidenti Obama.

Zoti Obama anuloi dje planet e tij të udhëtimit për një takim urgjent të kabinetit pas lajmeve se punonjësja e dytë shëndetësore amerikane e infektuar me virusin Ebola kishte qenë në një avion udhëtarësh një ditë para shfaqjes së simptomave.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, tha se Amber Vinson kishte udhëtuar të hënën me një avion të linjave Frontier Airlines nga Cleveland i Ohios për në Dallas-Fort Worth të Teksasit.

Ky rast ngjalli alarm në Ohio dhe u bë shkak për masa paraprake. Zyrtarët shtetërorë dhe lokalë po përpiqen tani të përcaktojnë se kush ka patur kontakt të afërt me zonjën Vinson.

"Kemi folur me pjestarët e familjes që ajo erdhi për të vizituar dhe jemi duke kërkuar informacion," tha Dr Marguerite Erme, zyrtare e shëndetit publik.

Zonja Vinson u dërgua dje nga Dallasi për në Spitalin e Universitetit Emory në Atlanta, ku dy pacientë të tjerë me Ebolë që ishin sjellë nga Afrika janë trajtuar me sukses.